Kanosi me armë policin arrestohet 35-vjeçari
SHKODËR- Kanosja për shkak të detyrës e një punonjësi policie, ka sjellë ndalimin e një 35-vjeçari, dënuar dhe më parë për armëmbajtje pa leje. Helidon Marku, 35 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” të qytetit Shkodër është ndaluar në orën 23.00 të së mërkurës, pasi brenda në një lokal privat ka kanosur me armë zjarri pistoletë punonjësin e policisë S.D. 37 vjeç. Mësohet se punonjësi i policisë ka qenë në detyrë, ndërsa 37-vjeçari është konfliktuar me të dhe më pas ka nxjerrë armën që mbante me vete dhe e ka kanosur. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër. Policia e lajmëruar nga efektivi i saj është vënë në ndjekje të 35-vjeçarit, i cili pas kanosjes që i ka bërë policit është larguar. Pas kapjes ai është dërguar në polici dhe për të janë ngritur akuzat e kanosjes për shkak të detyrës dhe armëmbajtjes pa leje .Ndërsa një 60-vjeçar me banim në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe është goditur me mjete të forta pas një konflikti familjar me disa persona të tjerë. Policia ka ndaluar 35-vjeçarin Edmir Biçaku, banues në lagjen “Manush Alimani” të qytetit Shkodër, si autor të plagosjes me mjete të forta të
60- vjeçarit S. Pepa. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër dhe mësohet se konflikti mes palëve ka qenë i hershëm dhe në të janë përfshirë disa persona nga dy palët. Goditja ka qenë me mjete të forta, por 60-vjeçari ka marrë plagë më të rënda dhe ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës. Dy persona të tjerë të përfshirë në këtë konflikt ndiqen në gjendje të lirë. D.K.