OMONIA: Certifikatat pa kombësi, shkelje e të drejtave të njeriut
Gjirokastër- Organizata Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA) e ka cilësuar heqjen e kombësisë nga modeli i ri i certifikatave personale si shkelje brutale të të drejtave. Në një njoftim për shtyp, të shpërndarë për gazetarët mesditën e së enjtes, OMONIA pohon se janë të shumta pikat e dobëta dhe tendencioze në çështjen që lidhet me procedurën dhe formatin e ri të lëshimit të certifikatave nga gjendja civile.
Deklarata
“Organizata jonë, pasi e shqyrtoi çështjen, denoncon publikisht, përderisa kjo është tejet ligjore dhe e mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë, në ligjshmërinë e brendshme, atë europiane dhe botërore dhe kërkon me këmbëngulje që shteti shqiptar të korrigjojë në mënyrë të menjëhershme”, pohohet në njoftimin për shtyp. “Edhe një herë tjetër, vijon deklarata e OMONIA-s, theksojmë se nuk është e mundur që të tolerojmë dinakëri anadollake të kësaj natyre, me të cilat burokracia dhe klasa politike tentojnë gjenocidin ‘statistikor’ të Minoritetit Etnik Grek në tokat e tij amtare”. Sipas OMONIA-s, “ ky akt pa asnjë paralajmërim i qeverisë shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes etj. dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveç që krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik për nënshtetasit me origjinë greke, konfirmon me fakte se cilat janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror shqiptar edhe përsa i përket çështjes së madhe të regjistrimit të popullsisë”. “Qeveria shqiptare është tanimë lakuriq dhe sjellja prej struci si një dimension bazik në sjelljen e saj është tanimë element i konkretizuar. Kishte vendosur me V.K.M Nr.31 që më 19 janar 2011, të fillonte procedura dhe formati i ri që në datën 1 maj 2011, i cili shkel rëndë dinjitetin dhe një të drejtë bazike të Minoritetit Etnik Grek dhe pjesëtarëve të tij. Kuptohet lehtë se ka gisht edhe nga “tanët” për shtyrjen e afatit dhe jo anulimin e vendimit, kështu mesa duket kanë rekomanduar në mënyrë që të kalohet me sa më pak kosto periudha parazgjedhore”, pohohet në njoftimin për shtyp të OMONIA-s.
Akuzat
Sipas organizatës Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek, shteti shqiptar tregon se nuk është shkarkuar ende nga mentalitete politike që e pengojnë si në realizimin e kohezionit të brendshëm shoqëror edhe në rrugëtimin e qetë drejt BE-së.”Akte si ky i fundit, sikundër edhe prapësimet e vazhdueshme në çështjen e regjistrimit, bien erë rigjallërim të fenomeneve neotomane që i duan qytetarët e këtij vendi të ndarë në dy kategori. Të tilla fenomene sigurisht nuk mund të konceptohen në një shtet ligjor dhe të europianizuar. “Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat dhe mjetet ligjore në mënyrë që ky akt edhe të denoncohet edhe të rregullohet kjo procedurë lëshimi e certifikatave të lindjes etj. Elementi i kombësisë përbën një argument themelor për theksimin e veçorive të një minoriteti dhe për ne përbën një të drejtë të dhënë. Nuk është e mundur që, ndërsa presim avancimin e një sërë çështjesh dhe problematikash të tjera që lidhen me të drejtat e Minoritetit Etnik Grek në trojet e tij amtare, të kemi prapakthime të tilla të rrezikshme”, përfundon deklarata për shtyp e OMONIA-s.