E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllohet në mes të qytetit, plagoset një 30-vjeçar

Një grindje e çastit, për pak i ka marrë jetën një 30-vjeçari nga Kukësi. Ngjarja ka ndodhur dje në qendër të qytetit, rreth orës 11:00, kur 30-vjeçari Bashkim Hallaçi është plagosur me armë zjarri nga dy persona. I lënduari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Kukësit, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë forca të shumta policore janë vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga burime jozyrtare dyshohet se njëri prej agresorëve ka qenë një person me inicialet R.D. i njohur si person me precedentë penalë, por ende asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia lokale. Ky është rasti i katërt i ngjashëm, që ndodh brenda pak muajsh në Kukës. Krimi i së shtunës ka ndodhur në një nga qendrat më të frekuentuara nga banorët, ndërsa policia tregohet e rezervuar për të dhënë detaje për shkaqet dhe identitetin e autorëve të ngjarjes së rëndë.

Su.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›