E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kantrimen: Politika të punojë në interes të vendit

08/06/2011  Diplomati amerikan analizon situatën postzgjedhore

Situata paszgjedhore në Shqipëri ishte një ndër çështjet kryesore të trajtuara nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Euroazinë, Tomas Kantrimen. Gjatë analizës së tij mbi një çështje të tillë, diplomati amerikan tërhoqi vëmendjen e klasës politike për të vënë në plan të parë interesin kombëtar. Kantrimen anashkaloi të jepte një qëndrim konkret mbi rezultatin zgjedhor për Tiranën sa kohë që kjo çështje vazhdon të jetë në gjykim nga institucionet përkatëse në vend. Gjithashtu, në vlerësimin e tij, ajo që duhet të bëjnë tashmë partitë politike është pikërisht bashkëpunimi dhe pjesëmarrja në të gjitha organet qeverisëse.

Deklarata

Sipas lajmit të publikuar nga “Zëri i Amerikës”, vihet në dukje fakti se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për situatën paszgjedhore në Shqipëri dhe ky shqetësim është përcjellë pikërisht nga Kantrimen. Referuar procesit zgjedhor, diplomati amerikan vlerësoi lart popullin shqiptar për pjesëmarrjen masive dhe sjelljen dinjitoze në zgjedhjet vendore të 8 majit dhe mijëra vëzhguesit e pavarur vendas që ndoqën zgjedhjet. Sipas tij, në të gjitha bashkitë, me përjashtim të Tiranës, procesi shkoi mirë. Për Tiranën gara ishte e ngushtë dhe manovrimet kanë qenë intensive. “Ne kemi shprehur dyshimet tona për bazën ligjore të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar një kategori të caktuar fletësh votimi. Çështjet lidhur me to i janë parashtruar Kolegjit Zgjedhor. Por për ne është esenciale që të gjitha partitë të sillen me të njëjtin dinjitet që tregoi populli shqiptar, të ruajnë qetësinë, të respektojnë ligjin dhe të mos nxisin dhunën. Ne rezervohemi të shprehemi për rezultatin, derisa të dëgjojmë se çfarë do të thotë Kolegji Zgjedhor”.

Qëndrimi

Në gjykimin e Kantrimen Shqipëria ka ecur mirë si në ekonomi, në përpjekjet për reforma, por është politika ajo që dëmton imazhin e saj në Bruksel dhe gjetkë. “Ne nuk kemi parë mjaft udhëheqës politikë që të kenë vullnetin për të vënë interesat kombëtare të Shqipërisë para interesave të partive të caktuara. Zakonisht udhëheqësit politikë janë të bindur se fitorja e partisë së tyre është e njëjtë me interesin kombëtar. Por kjo nuk është kështu për gjithë të tjerët. Në interesin e Shqipërisë sot është që t`u demonstrohet, veçanërisht vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, se Shqipëria mund të funksionojë si të gjitha demokracitë e tjera që kërkojnë të hynë në Bashkimin Evropian. Dhe në dy vitet e fundit Shqipëria nuk e ka plotësuar atë kriter. Ajo që më tremb sot është se ajo që duhet të jetë një demonstrim shumë pozitiv për Evropën, Brukselin dhe për të gjitha vendet anëtare për pjekurinë politike të Shqipërisë, nga një sinjal pozitiv mund të kthehet në një sinjal negativ, nëse nuk bëhen përpjekje reale nga partitë politike për ta trajtuar këtë çështje qetësisht dhe në formë kushtetuese”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›