E Diel, 1 Nëntor 2026

PS kërkon nga KQZ zbatimin e standardit për vlefshmërinë e fletëve të kontestuara

08/06/2011  KQZ me 6 vota pro rrëzon kërkesën e PD-së për jovlefshmërinë e fletëve të votimit

Partia Socialiste kërkoi dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve numërimin e fletëve të kontestuara në komunën Fratar të Qarkut të Fierit, ku fitues është shpallur kandidati i koalicionit të majtë. Ndërsa kreu i PS-së, Edi Rama, po vijon nga kontestimet e tij për rezultatin e Tiranës në lidhje me vendimin e KQZ-së për të numëruar votat e hedhura aksidentalisht në kutitë e gabuara, ku u shpall fitues kandidati i mazhorancës, përfaqësuesit e PS-së në rrethe nuk po mbajnë të njëjtin qëndrim si të shefit të tyre. Kështu, në mbledhjen e paradites së djeshme, KQZ-ja mori në shqyrtim kërkesën ankimore numër 94 të bërë nga Partia Demokratike, e cila ka depozituar në KQZ kundërshtimin e vendimit të KZAZ-së nr. 24, nr. 3, dt. 12.05.2011 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse për kryetar të komunës Fratar, Qarku Fier, si dhe kundërshtim i vendimit të ndërmjetëm të KZAZ nr. 24, QV 3236, për vlerësim si të vlefshme të 346 fletëve të votimit”. Në këtë komunë, votuesit jo për fajin e tyre kanë votuar me kundërfletë më 8 maj, ku një pranim i kërkesës ankimore nga KQZ-ja do të thoshte ndryshim rezultati. Kjo duke iu referuar dhe rezultatit të ngushtë me 112 vota mes dy kandidatëve. Dhe shpallja e pavlefshme e 346 fletëve të kontestuara nga PD mund të ndryshonte fatin e kreut të ri të komunës Fratar. Në mbrojtje të vendimit të marrë nga KZAZ-ja e Fratarit për t’i shpallur të vlefshme këto vota, përfaqësuesja e Partisë Socialiste në këtë komunë u shpreh dje se “vërtet u votua me kundërfletë, por është thjesht gabim mosinformimi nga ana e votuesve”. Në këtë pikëpamje, avokatja shtoi duke thënë se “populli e shprehu qartë vullnetin e zgjedhësve, dhe mbajtja e kundërfletëve lidhet më shumë me menaxhimin sesa me votimin. Përderisa ju (u drejtohet anëtarëve të KQZ-së) keni mbajtur frymën që të numërohet çdo votë, atëherë edhe këto duhet të quhen të vlefshme”. Përfaqësuesja e PS-së i ka kërkuar KQZ-së rrëzimin e ankimimit të PD-së si të pabazuar në fakte. Nga ana tjetër, avokati i PD-së, theksoi se “kemi të bëjmë me fletë me numër serial të njëpasnjëshëm dhe për pasojë mund të zbulohen zgjedhësit, pasi janë lehtësisht të identifikueshëm. Ndaj kërkoj shpalljen e pavlefshme të këtij procesi në KZAZ-në 24”. Pasi u dëgjuan palët, KQZ-ja vendosi në unanimitet të plotë me 6 vota pro dhe asnjë kundër, rrëzimin e ankimimit të PD-së dhe lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së 24, ku fitues është shpallur kandidati i koalicionit të majtë me 120 vota para rivalit të tij të mazhorancës. KQZ-ja procedoi në mbledhjen e djeshme me të njëjtin standard që u veprua edhe për Bashkinë e Tiranës, por me sa duket i vetmi që kundërshton numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara është shefi i opozitës, i cili nuk arriti të shpallej fitues në garën elektorale të 8 majit, për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›