E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kantrimen: Qeverisjae mirë, suksesi përKosovën

UASHINGTON - Komuniteti shqiptar në Amerikë ka organizuar një ceremoni me rastin e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të cilin me një fjalë rast u është drejtuar të pranishmëve zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Tom Kantrimen.
"Me formimin e qeverisë së re, Kosova do të hyjë në një periudhë të punës së rëndë dhe përplot sfida. Ky moment përurimi që vjen pas fushatës së zgjedhjeve dhe para fillimit të punës është më se i mirëseardhur dhe unë e përgëzoj popullin e Kosovës në përvjetorin e pavarësisë", tha Kantrimen, i cili lexoi dy paragrafe nga letrat e Presidentit Obama dhe sekretares Klinton drejtuar popullit të Kosovës në ditën e pavarësisë. "Presidenti Obama tha se tani është koha e reflektimit në rrugëtimin e mundimshëm dhe të gjatë të Kosovës për pavarësinë e saj dhe të drejtohemi përpara në ardhmërinë e sigurt dhe prosperuese për gjithë qytetarët e saj, dhe se kam besim se miqësia mes dy popujve tanë do të vazhdojë të forcohet në vitet para nesh.

Ndërsa Sekretarja Klinton në fjalën e saj tha se “në vizitën time Kosovës nëntorin e kaluar u impresionova shumë nga premtimi i një vendi aq te ri, nga dinamika e rinisë kosovare që përfaqëson ardhmërinë e Kosovës, në qasjen e tyre proaktive në bashkëpunim me shoqërinë civile për ndërtimin e institucioneve demokratike, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe promovimin e sundimit të ligjit".

Më tej Kantrimen theksoi se është momenti i duhur i liderëve të zgjedhur të Kosovës për vendosjen e qeverisjes së mirë dhe transparencës së plotë, duke shtuar se të dyja këto kategori janë esenciale për të përmbushur integrimet euroatlantike. Kjo është e domosdoshme për një stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet të Kosovës.

Më tutje Kantrimen theksoi se duhet të jetë i qartë se çka e përcakton suksesin e Kosovës në të ardhmen e saj. "Nuk është dialogu me Serbinë, edhe pse dialogu është i rëndësishëm dhe s'do mend se do të sjellë rezultat për qëllimet tona të përbashkëta: sovranitetin e plotë të Kosovës, integritetin dhe njohjen ndërkombëtare të saj".
Kantrimen porositi se "SHBA-të do të jenë krahë për krah me Kosovën në çdo hap të dialogut aspak të lehtë".

Por sipas tij, suksesin e Kosovës në të ardhmen nuk do ta përcaktojë as Bashkimi Evropian edhe pse ai mbështet dhe përkrah qëllimet e përbashkëta, të Kosovës dhe SHBA ve, shumë më tepër se sa disa mendojnë. Nuk është as miqësia e SHBA ve ajo që do ta përcaktojë suksesin e Kosovës edhe pse askush nuk mund ta vërë në dyshim dhe asgjë nuk mund ta trazojë thellësinë e miqësisë së SHBA-ve dhe Kosovës për njëri tjetrin. "Suksesin e Kosovës e përcakton vendosmëria e qeverisë së re të Kosovës për t'i trajtuar çështjet e rendit dhe ligjit, të promovojë funksionimin demokratik dhe transparent të qeverisjes dhe të krijojë mundësi më të mira ekonomike për gjithë qytetarët e vet. Kjo pra determinon suksesin e Kosovës", thekson Kantrimen.

(d.b/QIK/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›