E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kanun”, italianët kërkojnë 850 vjet burg për 84 të akuzuar

05/03/2005  Prokuroria e Xhenovës në Itali ka kërkuar në gjykatën e këtij qyteti dënimin me 850 vjet burg për 84 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të organizatës “Kanun”. Lajmi mësohet pas publikimit në mediat italiane, për pretencën e kërkuar nga prokuroria e Xhenovës për këtë organizatë mafioze të shtrirë në Itali dhe Shqipëri. Në shtypin italian theksohet se, të pandehurit janë arrestuar gjatë operacionit të policisë italiane, të koduar me emrin “Kanun”. Ata akuzohen për krijimin e organizatave kriminale të tipit mafioz, trafik droge, trafik klandestinësh dhe minorenësh. Gjithashtu, të pandehurit akuzohen edhe për shfrytëzim të femrave për prostitucion dhe për mbajtje të armëve pa leje. Aktiviteti i tyre ishte i përqendruar në Xhenovë dhe në rrethinat e këtij qyteti. Procesi i gjykimit të çështjes “Kanun”, është i shtrirë edhe në Shqipëri. Të akuzuar si pjesëtarë të kësaj organizate janë arrestuar pesë persona, të cilët janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit me nga 25 vjet heqje lirie secili. Ata akuzohen për krijim të bandës së armatosur me qëllime përfitimi nga aktiviteti krimanl dhe shfrytëzim të femrave për prostitucion. Në mediat italiane thuhet se, Prokuroria e Xhenovës ka kërkuar kundër 84 të pandehurve dënime që vijojnë nga 5 deri në 30 vjet burg. Për të akuzuarin si koka e kësaj organizate, Gëzim Aleksin, është kërkuar dënimi me 30 vjet brug. Ndërsa për dhjetë të pandehurit e tjerë, të dyshuar si pjesëtarë të kësaj organizate, Prokuroria e Xhenovës ka kërkuar lirimin e tyre për mungesë provash, thuhet në mediat italiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›