Sekuestrohen dy mjete luksoze të vjedhura në Serbi e Suedi
05/03/2005 Policia e kryeqytetit ka sekuestruar dy ditë më parë dy autovetura luksoze, të cilat nga verifikimet e kryera nga zyra e Interpol Tirana, kanë rezultuar të jenë vjedhur jashtë shtetit dhe më pas të jenë trafikuar në Shqipëri, ku edhe janë shitur. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat thanë se të enjten, zyra e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve ka sekuestruar një autoveturë tip BMV me ngjyrë gri, që ka rezultuar të jetë vjedhur në Giladev të Suedisë, më datë 1 nëntor të vitit 2003. Gjithashtu, burimet thonë se është sekuestruar edhe një autoveturë tip “Benz” 350 ngjyrë vishnje, që rezulton të jetë vjedhur në Serbi, më datë 18 korrik të vitit 2002. Sipas policisë, do të kryhet verifikimi i personave, të cilët kanë vjedhur dhe trafikuar për në Shqipëri këto mjete.