Kaos edhe në Rinas, ja linjat që janë anuluar
Numri i destinacioneve ku janë anuluar fluturimet ka arritur dje në 15. Sipas njoftimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, lista e fluturimeve direkte të anuluara përfshinte ato për në Londër, Budapest, Vjenë, Mynih, Shtutgard, Bolonjë, Milano, Trevizo, Verona, Frankurt, Ljubljanë, Rimini, Genova, Torino dhe Prishtinë dhe e gjithë kjo për shkak të hirit në zonën e Islandës, si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë. Sa i përket fluturimeve të planifikuara për në Romë, Athinë, Bari, Stamboll, TIA ka njoftuar se është operuar normalisht. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka informuar se fluturimet janë të anuluara, deri në një njoftim të dytë, kurse pasagjerët që kanë fluturime tranzit këshillohen të kontaktojnë linjat ajrore përkatëse për informacion të mëtejshëm në lidhje me udhëtimin e tyre. Kaosi në trafikun ajror ka më shumë se tri ditë që ka përfshirë Evropën, si rezultat i hirit vullkanik që ka bërë të pamundura fluturimet. Duket se përhapja e këtij të fundit gjatë ditës së djeshme ka qenë e theksuar në pjesën veriore të Evropës. Ende nuk dihet nëse do të ketë anulime të tjera fluturimesh, por kjo do të jetë në vartësi të situatës. Fqinji ynë Greqia bëri dje të ditur përmes Autoritetit të Aviacionit Civil se ka vënë në dispozicion aeroportet për çdo ulje emergjente që mund të kërkohet për efekt të situatës. Ndërkohë që shqetësimi i kompanive është rritur në maksimum lidhur me këtë situatë. Sipas International Air Transport Assn, industria ajrore po humbet rreth 200 milionë dollarë në ditë. “Los Angeles Times” shkruante dje se “Evropa, e cila aktualisht po përpiqet që të marrë veten nga recensioni po humbet në aspektin e turizmit dhe të tregtisë. çdo ditë e kaluar me një kaos të tillë ajror është humbje”. Ndërkohë, sa i përket vullkanit që shpërtheu në Islandë dhe që shkaktoi këtë situatë, vullkanologët nuk mund të japin asnjë detaj se sa do të vazhdojë të jetë i aktivizuar duke përhapur hirin e tij. Nëse situata do të vazhdojë me ritmet e këtyre ditëve, Evropës do t’i duhet të jetë edhe për pak kohë inaktive në trafikun ajror.
çfarë i bën hiri vullkanik avionit
Hiri vullkanik nuk dallohet në radar. Rasti më i keq në fluturim do të ishte kur piloti e fut avionin në mes të resë së hirit vullkanik, duke e ngatërruar atë me retë e tjera. Kjo zakonisht ndodh gjatë natës. Por ka shenja që rezultojnë në nivele të larta të energjisë elektrike statike në materialin vullkanik, të cilat menjëherë tregojnë se diçka nuk funksionon. Së pari, një fenomen elektrik i quajtur zjarri i Shën Elmosit, mund të shkaktojnë fleshe drite të gjelbër në dritaret e avionit. Goja e motorit të aeroplanit mund të fillojë të shkëlqejë, dhe pilotët mund të ndjejnë erën e squfurit. Transmetimet në radio bëhen më pak të qarta, dhe xhami i aeroplanit mund të bëhet shumë i errët sepse grimcat e rërëzuara të lavës janë bërë si silikate, si qelqi, që përplasen në pjesën e përparme të avionit, duke përfshirë edhe dritaret. Këto grimca të qelqëzuara ndikojë edhe në motorin e avionit. Në qoftë se ata të hyjnë në një motor reaktiv, ato shkrihen ashtu si shkrihet xhami, dhe më pas ngrijnë duke krijuar një veshje të motorit dhe duke rritur temperaturën e tij, dhe me shumë mundësi duke e shkatërruar atë.
Fluturimet e anuluara
Londër
Budapest
Vjenë
Mynih
Shtutgard
Bolonjë
Milano
Trevizo
Verona
Frankurt
Ljubljanë
Rimini
Genova
Torino
Prishtinë