E Diel, 1 Nëntor 2026

Paratë e “Vefa”, gafa në vendim kushton 2 mln USD



Fatos Mahmutaj

Një gabim i bërë në dosjen gjyqësore për rikthimin e parave të “Vefa”-s nga Greqia do i kushtonte shtetit shqiptar plot 2 milionë USD, nëse kjo nuk do të rregullohej me një proces të dytë të përfunduar pak ditë më parë. Në muajin shkurt, në bazë të kërkesës së paraqitur nga grupi mbikëqyrës i fajdeve, Gjykata e Tiranës lëshoi urdhrin e ekzekutimit për vendimin e administratorëve numër 488 datë 23 nëntor 2009, mbi shpalljen debitor për shumën 2 milionë lekë të reja, të shoqërisë anonime; “Poseidon” AE, me adrese: Glifadhë-Attikë, rruga “Metaksa”, numër 32 Athinë, Greqi. Në bazë të kërkesës Gjykata vendosi të lëshonte urdhrin e ekzekutimit, vendimin e të cilit administratorët pohuan se do e dërgonin në Ministrinë e Drejtësisë për ta përcjellë më pas te autoritet greke të drejtësisë ku dhe do të përmbushej. Por në këtë moment administratorët vunë re se monedha e kërkuar nuk ishte dollarë amerikanë, ashtu siç janë në gjendje në Greqi, por në lekë. E llogaritur sipas kursit aktual të këmbimit të monedhës shqiptare lekë me dollarin amerikan, dëmi që mund t’i shkaktohej shtetit llogaritet në rreth 1.98 milionë USD, pasi Shqipëria do të përfitonte vetëm 20 milionë lekë të vjetra. Pas konstatimit të këtij gabimi administratorët iu drejtuan sërish Gjykatës së Tiranës ku kërkuan saktësimin në vendimin gjyqësor të monedhës së përdorur nga lekë në dollarë amerikanë. Kërkesa u shqyrtua nga i njëjti gjykatës që kishte lëshuar më parë urdhrin e ekzekutimit, i cili pak ditë më parë pranoi kërkesën e mbikëqyrësve të fajdeve për të rregulluar gabimin material në vendimin gjyqësor. “Në pjesën e objektit, në pjesën arsyetuese dhe atë dispozitive të vendimit është shënuar gabim monedha e përdorur, nga USD që është e sakta, është shënuar gabimisht lekë. Duke parë se ky është një gabim material konformë nenit 312 të Kodit të Procedurës Civile duhet të ndreqet. Përfundimisht kërkesa e kërkuesit shoqëria “Vefa” shpk në administrim, gjen mbështetje të plotë në ligj e prova e si e tillë duhet të pranohet duke vendosur: Pranimin e kërkesës; ndreqjen e gabimit material të bërë në vendimin numër 469, datë 10 shkurt 2010 të Gjykatës së Tiranës; ky vendim t’i bashkëngjitet vendimit kryesor”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Tashmë ky vendim do i bashkëngjitet dosjes së fajdeve që Ministria e Drejtësisë pritet të nisë së shpejti drejt Greqisë prej nga mendohet se do të kthehen paratë që transportuan drejt shtetit helen ish-bosët e piramidave në fillim të vitit 1997. Në këtë proces bëhet fjalë për hotelin “Poseidon” në kryeqytetin grek Athinë i ndërtuar me paratë e ish-piramidës “Vefa”. Janë plot 2 milionë USD të cilat ish-kreu i firmës rentiere i ka transferuar në Greqi ku dhe u zbuluan pak kohë më parë. Menjëherë pas verifikimit të pasurisë që ndodhet në lagjen Glifadhë të Athinës administratorët e fajdeve iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, dokument që u është dorëzuar nga togat e zeza më datë 15 shkurt të këtij viti. Në të njëjtën kohë Gjykata e Tiranës lëshoi urdhra ekzekutimi edhe për ish-piramidat “Gjallica” dhe “Cenaj”, për shuma që në total kalojnë 13 milionë USD dhe janë verifikuar që ndodhen të fshehura në shtetin grek nëpër banka apo të investuara në biznese të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›