E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestro fonogramave, zbardhen urdhëresat verbale të “Gërdecit”

 

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka dokumentuar të gjithë urdhrat verbalë që janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat ushtarake në varësi të tij lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Zbardhja e urdhrave është bërë me qëllim zbulimin e shkeljeve dhe abuzimeve të ushtarakëve në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars 2008. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se rreth 100 fonograma janë sekuestruar nga grupi i hetimit, i cili i ka administruar ato në cilësinë e provave materiale në dosje. Të gjithë urdhrat verbalë, të dhënë nga Shefi i Shtabit, janë dokumentuar nga sallat operative të komandave përkatëse. Bëhet fjalë për Komandën e Mbështetjes dhe Komandën e Forcës së Bashkuar, të cilat kanë marrë me anë të sallës operative qindra urdhra nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Për vetë natyrën e shkëmbimit të informacionit në ushtri, çdo urdhër i dhënë qoftë edhe verbalisht i komunikohet në fillim sallës operative të komandës, e cila dokumenton urdhrin, duke shënuar edhe dhënësin e tij dhe më pas me fonogramë zyrtare e shpërndan atë në njësitë vartëse. Pikërisht një informacion i tillë, i shpërndarë përmes fonogramave në hierarkinë e ushtrisë, është sekuestruar nga Prokuroria e Përgjithshme e cila ka qartësuar në këtë mënyrë pozicionin që ka pasur secili nga ushtarakët e akuzuar. Përmes fonogramave është provuar rasti kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka verbalisht dërgimin në Gërdec të një fadrome, e cila do të ndihmonte procesin që zhvillohej atje për llogari të Mihal Delijorgjit. Shqyrtimi i dokumenteve ka treguar se fadroma është dërguar në Gërdec me urdhër verbal dhe katër ditë pasi ajo kishte nisur punën është zyrtarizuar dërgimi i saj me anë të hartimit të shkresës zyrtare për urdhrin në fjalë. Qindra urdhra të tjerë verbalë janë dhënë për daljen e sasive të municionit nga depot e ushtrisë dhe dërgimin në Gërdec apo edhe aktivizimin e mjeteve të transportit të Forcave të Armatosura, për të transportuar fishekët dhe predhat duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar që kap shifrën e 900 mijë eurove me shpenzime karburanti të pa paguara.  tr.so  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›