Kaos me trafikun, qendra 2 orë e bllokuar
• Një kaos i vërtetë me trafikun në kryeqytet. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë mesdita e djeshme.Ndonëse nuk ishte as ditë shiu dhe as ndonjë festë zyrtare, rreth orës 12.15 thuajse të gjitha rrugët kryesore u bllokuan tërësisht për më shumë se një orë. Në unazë ishte e pamundur të kaloje. Qytetarët që lëviznin me linjat urbane, panë ç’panë e morën rrugën në këmbë. E pamundur të përshkohej me makinë ishte rruga nga bulevardi i madh dhe komplet bulevardi “Zogu i Parë”. Karvani i makinave i pakalueshëm ishte në rrugën e “Kavajës” dhe atë të Durrësit. Më e çuditshmja në të gjithë këtë panoramë ishte se gati në të gjitha kryqëzimet mungonin policët. Dy prej tyre te pjesa e trenit, jo vetëm nuk ndihmonin në lehtësimin e trafikut, por si zakonisht e rënduan më tepër atë. Drejtuesit e automjeteve nuk arritën të kuptonin zanafillën e këtij bllokimi të menjëhershëm të të gjithë rrugëve. Të lodhur nga pritja dhe pa pasur mundësi për të kaluar, ata ngushëllonin veten duke i mëshuar burive të makinave. Kjo edhe pse pa rezultat. Në situatën e krijuar ndikoi edhe mosfunksionimi i disa prej semaforëve kryesorë. Trafiku ra rreth orës 13.45 dhe gradualisht rrugët u zhbllokuan.