E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, nga 42 spitale në vend do mbeten 12

• Nga 42 spitale rajonale në vend, vetëm 12 prej tyre do të vijojnë të kryejnë këtë funksion.Mbi bazën e rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë pjesa tjetër do të shkrihen dhe do të përdoren si poliklinika. Spitalet do të vijojnë punën në qytetet e mëdha dhe disa rrethe të largëta të vendit, ku janë të domosdoshëm. Këtë bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Sipas  Edmond Stojkut, drejtorit të Përgjithshëm të këtij dikasteri  aktualisht po kryhet një studim për vlerësimin e infrastrukturës së spitaleve në rrethe. “Me anë të tij, veç evidentimit të nevojave infrastrukturore të spitaleve, do të vlerësohen se cilat spitale në rrethe do të mbyllen”, tha Stojku. Ai shtoi se, studimi do të kryhet në bazë të numrit të popullsisë dhe afërsisë me spitalet e tjera në rrethe. Të 12 spitalet që do të mbeten do të pajisen me skanerin (një prej aparaturave më të rëndësishme diagnostikuese). Aktualisht ajo ndodhet vetëm në pak prej tyre. Në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet që prej disa muajsh aparatura ka dalë jashtë funksionit. Shkrirja e spitaleve rajonale është kundërshtuar nga shumë prej drejtuesve në rrethe, por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ajo shihet një reformë e domosdoshme për të rritur cilësinë ndaj pacientëve. Stojku pohon se, për zonat që nuk kanë mundësi të lidhen me rrugë tokësore, do të vihen në dispozicion dy helikopterë që priten të mbërrijnë nga Gjermania, veç dy të tjerëve që posedohen aktualisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›