E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postet, furtunë në universitetin e Vlorës

• VLORE - Universiteti prej katër ditësh është kthyer në një arenë akuzash dhe sulmesh të ndërsjellëta mes rektorit, dekanes së Juridikut dhe Ekonomikut, si dhe shefit të Departamentit të Biznesit.Gjatë të premtes, më 8 shkurt, deklarata e parë u lëshua nga dekania Arta Musaraj, e cila akuzonte haptazi rektorin Tanush Shaska, se e kishte pushuar nga puna bashkë me dy shefa departamentesh, duke thyer kështu frymën e konsensusit në universitet. Nisur nga këto akuza, dje nga zyra e rektorit Shaska ka mbërritur edhe reagimi zyrtar, i cili shprehet se procedurat e emërimit të shefave të rinj në Departamentin e Biznesit dhe të Turizmit, kanë qenë konform të gjitha rregullave dhe ligjeve. Gjithçka është bërë në përputhje me konsensusin e dhënë nga stafi akademik, që ka bërë edhe zgjedhjen e dy drejtuesve të rinj. “Referuar trillimeve të zonjës Musaraj, gjej me vend të sqaroj se në asnjë rast nuk është diskutuar në rektorat për pezullimin nga puna të dekanes dhe asnjëherë nuk i është komunikuar një vendim i tillë. Rektori këtë lajm e ka marrë vesh nga mediat”, bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të zyrës së rektorit. Akoma më e ashpër ka qenë ankesa e një prej shefave të fakulteteve të emëruar prej Musarajt, por të pushuar nga rektori Shaskaj. Ilirian Lipi ka dërguar një ankesë në Ministrinë e Arsimit për: a) Kërcënim të hapur për pushim nga puna të stafit të departamentit të Biznesit nga rektori i Universitetit të Vlorës deri në fund të semestrit; b) fyerje të personalitetit të pedagogut nëpërmjet kërcënimit; c) shkelje të ligjit të zgjedhjeve në fakultetin e Ekonomikut dhe Drejtësisë për emërimet e shefave të departamentit; d) krijim të një konflikti institucional për pozicionin e shefit të Departamentit të Biznesit. Në ankesën e dërguar nga Lipi në Ministrinë e Arsimit, si dhe për dijeni të dekanes Musaraj por edhe vetë rektorit Shaskaj të akuzuar prej tij, midis të tjerash kërkohet dhe dëmshpërblim moral në një shumë prej 100 mijë eurosh.     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›