Kaos në FSHF, klubet federojnë në çastet e fundit
Zyrtarë klubesh të kollarisur ose jo që çirren me zë të lartë nëpër korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit. Zyrtarë klubesh që kërkojnë të mbyllin brenda afatit ligjor dokumentacionin e nevojshëm për të federuar lojtarët që do të luajnë me skuadrat përkatëse. Sikundër edhe në vitet e shkuara, i sivjetshmi nuk ka përse të bëjë përjashtim përsa i përket situatës së prag-sezonit. Thuajse të gjithë prezentë me përjashtim të Dinamos që bën një “ta” të shpejtë dhe largohet për t’i mbyllur hesapet ditën e sotme.
Janë të gjithë aty. Duke nisur që nga Skënderbeu kampion e deri tek të sapongjiturat në superligë. Të gjitha skuadrat e futbollit shqiptar kërkojnë të ligjërojnë listën e lojtarëve të tyre për kampionatin e ri duke u derdhur të tërë në federatë në ditën e fundit. Kaosi është prezent dhe përfaqësuesit e klubeve çojnë zërin edhe ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë duan të mbarojnë shpejt një punë që kanë pasur kohë 2 muaj për ta bërë. Klubet më “të pafuqishëm” u lënë vend “luanëve” të vjetër dhe preferojnë të konsumojnë një kafe në rrethinat e godinës në pritje që të largohen të plotfuqishmit. Nga Skënderbeu te Tirana e nga Gramozi te Himara janë turrur të gjithë për në zyrat e katit të dytë duke pasur në duar dosjet me kontratat e lojtarëve që duan të federojnë për sezonin e ardhshëm futbollistik. Rrëmuja ka bërë me dhimbje koke thuajse të gjithë, pasi klubet kishin probleme të ndryshme në dokumentacion dhe nuk arrinin të federonin ndonjë element. Por dëshira ka qenë për të mbyllur gjithçka dje, sepse sot starton sezoni i ri futbollistik me ndeshjet e Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë.
Dinamo federon lojtarët sot
I vetmi klub nga superliga që nuk është nxituar të federojë lojtarë dje, ka qenë Dinamo. Përfaësuesit e skuadrës blu kanë pasur një bisedë me drejtues të sekorit të garave të FSHF dhe kanë rënë dakort që ta sjellin listën dhe dokumentacionin për lojtarët që duan të federojnë ditën e sotme. Kjo vonesë lidhet me problemet që ka hasur së fundmi skuadra kryeqytetase, që lidhen ngushtë me të ardhmen e saj. Gjithashtu, pas emërimit të trajnerit të ri, Faruk Sejdinit, blutë do të kërkojnë të afrojnë lojtarë të ndryshëm për të plotësuar një organikë të katandisur si mos më keq.
Shefi i Garave
Shulku: Pavarësisht kësaj, kampionati do nisë
Ndërkohë, shefi i garave në FSHF, Ilir Shulku, sqaron se në pasditen e vonë thuajse kishin përfunduar të gjitha federimet. “Ka pasur mbingarkesë të shkaktuar kryesisht nga klubet e Kategorisë së Parë, - informon shefi i garave -, ndërsa skuadrat e Kategorisë Superiore i kanë dorëzuar dokumentet më parë, por kanë pasur probleme të ndryshme që lidhen me çështjet e domukentacionit. Dinamo? Listën e lojtarëve ata e kanë paraqitur, por duhet të mbyllin pjesën tjetër të dokumentacionit,” përfundon për gazetën shefi i garave në FSHF.
Superliga – Java I
Sot
Vllaznia – Laçi 16:00
Bylis – Shkumbini 16:00
Skënderbeu – Tomori 20:00
Nesër
Apolonia – Dinamo 15:00
Flamurtari – Kamza 16:00
Të hënën
Kastrioti – Pogradeci 16:00