Kaos në Fier, militantët në shesh
FIER/ MAJLINDA RAMA
Kaos në Fier. Qetësia e procesit të numë-rimit të votimeve prej tre ditësh në këtë qark u prish dhunshëm mbrëmjen e djeshme. Atëherë kur debati fillestar mes komisionerëve dhe kandidatëve të dy partive kryesore përfshiu në masë qytetarët fierakë, simpatizantë të Partisë Socialistë. Qindra vetë mësynë pranë ambienteve të shkollës së mesme “Perikli Ikonomi” rreth orës 21:00, aty ku ishin bllokuar 3 kutitë e votimit të Libofshës. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, situata ishte tepër e rënduar, ndërsa forcat e shumta të policisë mbanin të rrethuar godinën ku është vendosur KZAZ 20 e Fierit. Një pjesë e madhe e kandidatëve socialistë në vend u mblodhën bashkë me qytetarët, ndërsa të djathtët nuk arritën të çanin turmën. “Nuk lejojmë vjedhjen e votave! Do t’i mbrojmë edhe me jetë!” ishin thirrjet e qytetarëve. Turma ka penguar mbrëmë të hynin brenda zyrave ku ndodheshin kutitë kandidatët e djathtë për deputet nga Tirana, si zv.ministri i Brendshëm, Genc Strazimiri, aktorja Rajmonda Bulku, Jorida Tabaku dhe ish-futbollistin Indrit Fortuzi. Në përpjekje për të hyrë në godinë, Bulku është shtyrë nga turma e pakontrolluar, megjithë praninë e madhe të uniformave blu. Në momentin e daljes nga godina, Bulkun e kanë shoqëruar forcat e sigurisë së socialistëve, të cilat kishin mbërritur bashkë me Et’hem Rukën dhe Saimir Tahirin, kandidatët e PS-së në këto zgjedhje. Mbërritja e të djathtëve nuk ka zbutur masën, e cila është përshëndetur me dy gishta lart nga Bulku, që e ka fituar mandatin e saj.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, gjendja në Fier ishte e tendosur për shkak të bllokimit të votave të Libofshës. Numërimi i tyre ishte ndërprerë që prej orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Që nga mëngjesi i së mërkurës e deri në mbrëmje, asnjë veprim nuk u krye nga KZAZ, në pritje për të marrë ndonjë sugjerim nga KQZ. Rreth orës 20:30 gjendja ndryshoi tërësisht. Komisionerët e djathtë ishin tërhequr për pak orë, me justifikimin që ishin të lodhur, por kësaj radhe për të marrë një vendim: atë të shpalljes së votave të pavlefshme. Ky vendimi solli shpërthimin e situatës, e shoqëruar me tensione të dukshme në ambientet e numërimit. Kandidatët e PS-së së Fierit, Ermelinda Meksi dhe Pirro Lutaj u janë drejtuar ministrave Sokol Olldashi dhe Enkeled Alibeaj, të gjithë të pranishëm në ambientet e KZAZ-së që të heqin dorë sipas tyre nga këta skenarë që po e degjenerojnë procesin e numërimit. Madje të ndihmuar edhe nga pohimet e kryetarit të KZAZ ata kanë akuzuar ministrat e PD-së se i kanë ngritur me urdhër anëtarët e KZAZ. “Ju u thatë atyre që të çohen pasi urdhrat i jepni ju dhe ju jeni përgjegjës për procesin. Kjo nuk është e drejtë”, këto kanë qenë në fakt fjalët e kryetarit të KZAZ, por deklaratat dhe akuzat kanë ardhur në rritej nga Meksi dhe Lutaj. “Sokol Olldashi, hiq dorë nga këta skenarë që vetëm ti di të bësh. Mos ndiko në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve”, ka vijuar Lutaj. Sherri i nisur mes katër kandidatëve është zgjeruar menjëherë, duke përfshirë dhe kandidatin tjetër të PS-së në Fier, Gramoz Ruçin. Ndërsa ky i fundit kërkonte nisjen e procesit të numërimit, nga demokratët ishte kërkuar ndërhyrja e KQZ-së. Brenda një kohe të shkurtër mbërriti para gjimnazit “Perikli Ikonomi” makina për të tërhequr kutitë, por nuk ka mundur të kryejë detyrën. Turma e njerëzve mbuloi makinën, duke detyruar rikthimin pas të kutive. Drejtuesi i mjetit që do kryente transportin është larguar rreth orës 23:30, por bosh. Nga ana e tij, ministri Olldashi kërkonte largimin e militantëve për të pranuar nisjen e votimit dhe kthimin e komisionerëve të djathtë, por numri i njerëzve jashtë gjimnazit sa vinte e rritej. Para mesnatës u fol se kryetari i PS-së, Edi Rama do të mbërrinte në Fier, por ky udhëtim i tij u anulua. Deri në orën 02:00, godina e KZAZ-së ishte e rrethuar me forca të shumta policie, ndërsa asnjë nga simpatizantët nuk është larguar nga zona.
qarku fier
Aleanca e Ndryshimit
PD 54761 vota
PR 3753 vota
PAA 1748 vota PDI 4619 vota PAD 418 vota
BLD 81 vota
PLL 2737 vota
AMIE 19 vota
PADS 98 vota
PBK 685 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 82961 vota
PSD 3675 vota
PDS 992 vota
PBDNJ 526 vota G99 1162 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 10440 vota
PSV 358 vota
Numri i zgjedhësve që kanë votuar 178103
Gramoz Ruçi - “Qytetarët po mbrojnë votën e tyre”
Nga ana tjetër kandidati i Partisë Socialiste në këtë qark, Gramoz Ruçi tha dje se kjo forcë kryeson me më shumë se 28 mijë vota ndaj PD-së. Ai akuzoi Kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë votat në Fier. “Në Fier PS ka 28 mijë vota më shumë se PD, por kërkohet që PS-së t’i vidhet mandati i marrë dhe t’i jepet PD-së. Kjo është e dënueshme dhe për këtë duhet të ngrihet i gjithë opinioni, populli dhe mediat. Unë do të dëshiroja të kisha mbështetje më të fuqishme, do të doja të ishim të gjithë qytetarët nga Tropoja deri në Konispol se vetëm kështu do tregonim standarde dhe ruajtjen e votës. Diferenca jonë tregon epërsinë e PS në këtë qark”, u shpreh Ruçi gjatë një komunikimi me mediat.
Sokol Olldashi - “PS të largojë militantët nga numërimi”
Kandidati i PD-së në qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, akuzoi socialistët se po mbajnë peng procesin në KZAZ-në 20. “Siç jeni njohur tashmë situata është kthyer në një skenar të turpshëm në KZAZ me numër 20. Unë dua t’u bëj thirrje socialistëve të largojnë militantët nga vendet e numërimit të votave, me qëllim që komisionerët të bëjnë punë e tyre. Derisa të largohen militantët e PS, ne do të mbajmë jashtë procesit të numërimit 4 komisionerët tanë. I kemi tërhequr deri në qetësimin e situatës”, tha Olldashi. Sipas tij “kutitë janë dorëzuar në duar të policisë dhe do të merren sërish me to komisionerët tanë, vetëm kur këto ambiente të jenë në duar të komisionerëve. Unë i bëj thirrje Edi Ramës të mos nxisë këto skenare”.