E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, luftë për një mandat në Fier

 

ADI SHKEMBI

Shtatë kutitë e votimit në Qarkun e Fierit mbajnë peng shpalljen e rezultateve për zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithëse në ditën e katërt të procesit të numërimit të votave, në qarkun e dytë më të madh të vendit, i cili çon në parlament 16 deputetë, shtatë kuti, që përfshijnë zonën e Libofshës, Krutjes dhe Patosit, ende nuk janë numëruar. Nga ana tjetër, pas përplasjeve të mbrëmshme në Fier, KQZ-ja vendosi vetëm me votat e shumicës të numërojë në Tiranë 3 kutitë e KZAZ-së 20.
Kutitë e Fierit
Nga 481 kuti të numëruara në qarkun e Fierit rezulton se PS-ja ka nëntë mandate në Kuvendin e ri, PD-ja ka gjashtë mandate dhe një mandat LSI-ja. “Molla e sherrit” janë pikërisht 3 kutitë e Libofshës, Cakranit e Mbrostarit, dy prej të cilave janë hapur dhe kanë nxjerrë PS-në me 300 vota avantazh ndaj PD-së. Një rezultat i tillë hipotekon mandatin e nëntë për forcën më të madhe të opozitës, ndërkohë që një tendencë të tillë ka edhe kutia e tretë e kësaj zone. Por PD-ja pretendon se dy kutitë e para janë të pavlefshme, për shkak se procesverbalet e tyre janë firmosur nga vetëm dy anëtarë, çka në fakt është e parashikuar në ligj. PD pretendon se në dy kutitë e Krutjes ka një avantazh ndaj PS, që mund ta shtyjë atë të marrë mandatin e shtatë, pavarësisht se mund të ketë humbur në qytetin e Patosit, ku janë edhe dy kuti e panumëruara. Nxjerrja të parregullta të tre kutive të zonës së Libofshës, rrit mundësitë e PD-së të fitojë mandatin e shtatë. Me shifrat aktuale PD ka 70 mandate deputetësh, PS 66 dhe LSI katër mandate. Nëse në Fier PS zbret në 8 mandate dhe koalicioni i djathtë merr mandatin e shtatë, në total “Aleanca e ndryshimit” e drejtuar nga PD shkon në 71 mandate dhe PS zbret në 66-të. Ndërkohë një tjetër qark që mund të ndryshojë numrin total të mandateve është Lezha. Nëse në gjashtë kutitë e Fushë Kuqes në Laç PD merr 2500 vota më shumë se PS, ajo fiton mandatin e pestë në këtë qark dhe nëse Fieri qëndron i pandryshuar, shkon sërish në 71 mandate dhe PS zbret në 65. Konkretisht mundësitë janë që koalicioni i PD të marrë 71 mandate, 72 ose të qëndrojë në 70.
KQZ
Ndërkohë mbrëmë rreth orës 12:30, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me katër vota pro dhe dy kundër që tre kutitë e KZAZ-së 20 të numërohen në Tiranë. Por një vendim i tillë kërkon që këto kuti të cilat janë të hapura, për shkak se nuk janë përfunduar të gjitha procedurat e mbylljes së tyre, të vulosen nga KZAZ-ja 20 dhe të nisen drejt Tiranës. “Të thërrasim në ndihmë forcat e policisë në transportimin e kutive dhe bazës materiale dhe të nxjerrin jashtë VNV njerëzit e paautorizuar. Të autorizohen punonjësit e policisë në rast se nuk nxjerrin dot kutitë”, u shpreh mbrëmë gjatë mbledhjes së KQZ-së, kreu i këtij institucioni Arben Ristani. Qëndrimi i Ristanit u mbështet edhe nga anëtari Klement Zguri, por u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e opozitës. “Eshtë e paligjshme, nuk e parashikon Kodi Zgjedhor një gjë të tillë, duke qenë i ndërgjegjshëm që Policia e Shtetit i njeh mirë ligjet, i bëj thirrje Drejtorit të Policisë së Shtetit, si një mik i imi personal, i bëj thirrje të ketë kujdes për zbatimin e ligjit, dhe të bëjë kujdes pasi unë do ta konsideroja një formë të një grushti shteti. Me këtë vendimmarrje nuk ia lejoj vetes të jem i pranishëm”, tha Artan Lazaj, i cili më pas u largua nga mbledhja. Pas hedhjes në votim, u vendos që këto tre kuti të vijnë në Tiranë për t’u numëruar.

PD: Rama të zhbllokojë situatën
Partia Demokratike i kërkoi mbrëmë kreut të PS-së, Edi Rama, të zhbllokojë situatën në qarkun e Fierit. Zëdhënësja e fushatës, Majlinda Bregu tha gjatë një konference për shtyp se “Ajo çka është parashikuar në ligjin dhe Kodin Zgjedhor është detyrim për t’u respektuar nga të gjitha palët, akoma më tepër nga Kryetari i Partisë Socialiste. I bëjmë thirrje të mos nxisë konfliktin jashtë KZAZ-së në Fier, por të lejojë procesin e transportimit të kutive drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ashtu siç parashikohet në Kodin Zgjedhor, në ligjin shqiptar, kur ka kontestime nga subjektet politike të përfaqësuara në KZAZ, vendimi merret nga autoriteti përkatës që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Bregu.

Reagimi i PS
Por në të njëjtën kohë edhe Partia Socialiste i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të zhbllokojë procesin e numërimit të votave në KZAZ-në 20. “Partia Socialiste i bën thirrje edhe njëherë Sali Berishës, të zhbllokojë situatën e krijuar në Fier dhe të tërheqë ministrat e tij nga ky akt i turpshëm që po mban peng mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sot, sytë e Shqipërisë dhe shqiptarëve janë në Fier”, tha zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj gjatë një konference për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›