E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i jep çelësin e Tiranës kryeministrit kuvajtian

 
 
TIRANË- Hartimi i projekteve për të pastrehët, personat në nevojë, qendrat sociale ditore për të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e braktisur ishin temat e takimit në Bashkinë e Tiranës mes kryebashkiakut Edi Rama, dhe Kryeministrin e Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah. Një tjetër argument i rëndësishëm mbi të cilin u përqendrua biseda e tyre ishte edhe miqësia e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe çështja e Kosovës. Me këtë rast, Rama falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që qeveria e Kuvajtit i dha pavarësisë së Kosovës. Rama ritheksoi edhe një herë se Kosova shumë shpejt do të bëhet e pavarur edhe de jure, pasi de facto është aktualisht. Më tej biseda u fokusua mbi historikun e Tiranës së vjetër dhe problemet e kryeqytetit gjatë viteve '90, si dhe mbi sfidat e rëndësishme me të cilat Bashkia e Tiranës është dashur të përballet gjatë misionit të saj të vështirë për rehabilitimin, zhvillimin dhe rikthimin e Tiranës në një qytet të standardeve evropiane. Në shenjë simbolike, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i dhuroi Kryeministrit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, Çelësin e Tiranës si dhe një veshje tradicionale tiranase, ndërsa nga ana e tij Kryeministri kuvajtian ftoi Kryebashkiakun Edi Rama për një vizitë zyrtare në Kuvajt, dhe la këtë shënim në Librin e Përshtypjeve të Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›