E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaosi kërkon “shpëtimtarin”



Mentor Beqa

Njeriu është i keq për nga natyra, ndaj është e domosdoshme që të shmanget gjendja natyrore e tij, nëpërmjet ndërtimit të një sistemi që kufizon të keqen natyrore të përbrendësuar tek njeriu. Librat e shenjtë dhe interpretët religjiozë urdhërojnë ndërtimin e një sistemi të bazuar mbi parime mbinjerëzore, transcendentale, hyjnore, të cilat mirëpërcaktojnë makrostrukturën e qeverisjes së njeriut në tokë, nëpërmjet kufizimit të gjendjes së tij natyrore. Për të kryer detyrën e ndërtimit të sistemit me referenca hyjnore, Krijuesi rikujton njerëzit me anë të profetëve që përcjellin mesazhin e tij. Në kultura të veçanta religjioze, mesazheri i Zotit thirret si shpëtimtar. Shpëtimtari mbërrin në tokë në momente kritike të historisë njerëzore për të përcaktuar një kthesë të kësaj historie. Mesazheri rikujton njerëzit se shpëtimi individual gjendet tek Zoti, në botën e përtejme, të cilën ne e njohim si parajsë, ndërsa mbarëvajtja e bashkëjetesës kolektive ndërtohet nëpërmjet një sistemi që respekton parimet hyjnore. Kjo rikujtesë zakonisht është bërë në momente kur shoqëri të caktuara përjetonin gjendje kaotike, parë në pikëpamje morale.

Përkundër kësaj qasjeje gnostikët devulgojnë sistemin hyjnor të shpëtimit individual dhe bashkëjetesës kolektive për shkak të parimeve hyjnore, në një sistem njerëzor ku shpëtimi gjendet tek secili prej nesh dhe parajsa e përtejme mund të ndërtohet në tokë dhe mekanizmi që na çon tek kjo “parajsë” është dija, njohja, “gnoia”. Kjo “njohje” nuk ka nevojë për Zotin, ndaj akti i parë në ndërtimin e sistemit që realizon shpëtimin tonë, është vrasja e Zotit. Me këtë akt njeriu çlirohet nga sistemi vertikal, transcendental, i urdhëruar dhe i vihen punës për të ndërtuar parajsën. Akti i dytë pas vrasjes së Zotit është ndalimi i pyetjeve që kanë si referencë gjenezën e njeriut. Pas shmangies së kësaj pyetjeje premisa që ndërton analizën merret si e mirëqenë pa pasur nevojën e vërtetimit të saj. Gnostiku shpreh më tutje pakënaqësinë e tij me jetën njerëzore, me vuajtjet dhe përdëllimet që kalojmë në këtë jetë. Ai e sheh gjendjen njerëzore në këtë moment daljeje nga vrasja e Zotit, si një gjendje kaotike që ka nevojë për orientim me anë të dijes, njohjes, “gnoias”. Gnostiku është shpëtimtari që njerëzve u nevojitet. Ai, me anë të dijes së pakufizuar, është në gjendje të ndërtojë sistemin më të mirë, duke e shpëtuar njeriun nga vuajtjet e kësaj jete. Në këtë përpjekje ai lodhet pafundësisht nga pamjaftueshmëria e arsyes në ndërtimin e sistemit përfundimtar që ofron shpëtimin për të gjithë, po përpjekja vazhdon. Sipas Voegelin, ky është procesi që kalon nga e vërteta e pasigurt tek të pavërtetat e sigurta.

Qëllimi i kësaj hyrjeje të gjatë mund të mos i ketë shërbyer qëllimit të këtij shkrimi, i cili lidhet me një analizë aktuale të ligjërimit politik (për shkak të lodhjes së lexuesit), por është e domosdoshme që me anë të këtyre të vërtetave të përbotshme, të krijojmë një sistem të qartë referimi, ndaj asaj që na ofrojnë aktorët politikë në këtë prag fushate. Opozita e ka fokusuar gishtin tregues tek disa probleme (nëse janë të tilla), me një përpjekje të qartë, për të ndërtuar perceptimin publik se Shqipëria po përjeton një gjendje kaotike. Të vëmendshmit ndaj fushatës elektorale të kryesocialistit Rama kanë hasur më shpesh tezat si: shqiptarët janë të përçarë, shqiptarët vuajnë nga urrejtja e gjatë për njëri-tjetrin, shqiptarët janë qeverisur nga njerëz të paaftë e për pasojë, shqiptarët kanë nevojë të bashkohen, kanë nevojë për bashkëjetesë, kanë nevojë për njeriun e ditur. Kjo mënyrë të ligjëruari nuk jep asnjë rezultat tjetër përpos ndërtimit të perceptimit se njeriu që bashkon, njeriu që ofron bashkëjetesë, njeriu që ofron dije, është “gnostiku shpëtimtar”. Në këtë rast, shpëtimtari korrespondon me Edi Ramën. Karakteristikat kryesore “të shpëtimtarit” janë: i padyshueshëm, i papyetshëm, i pagabueshëm, ndaj njerëzve u lind detyra ta besojnë apriori. Ai është i vetmi që mund ta nxjerrë shoqërinë nga gjendja e kaosit. Ky proces nuk ka nevojë për analizë racionale të projektit të tij, thjesht, ne duhet të besojmë projektin e tij, për një Shqipëri të re, përtej të majtës dhe të djathtës, e bashkuar rreth gnostikut të dijshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›