E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë e cenon demokracinë???



Nga Sabina Osmanoviçi

Problemi kryesor, nga i cili vuan demokracia në ditët tona, është pamundësia e realizimit 100% të saj de facto. Në nenin e parë të Kushtetutës malazeze, Mali i Zi përkufizohet si shtet demokratik, social dhe ekologjik. Në pamje të parë i bie të jetë shtet model. Por nëse e marrim mundimin ta analizojmë pak më nga afër, në bazë të parametrave të një shteti pretendent për t’u bërë pjesë e familjes së madhe e shumë të lakmuar evropiane, mund të vërejmë disa probleme të cilat përbëjnë pengesa serioze e që njëherit janë larg imagjinatës së një shoqërie evropiane.

“Demokracinë malazeze” e kërcënojnë disa rreziqe. Ndër armiqtë më të mëdhenj të saj është korrupsioni. Ky fenomen fatkeqësisht është i rrënjosur thellë në strukturat politike, duke e bërë gati të pamundur funksionimin normal të institucioneve shtetërore e duke çuar kështu drejt degradimit gradual e të sigurt të drejtësisë.

Një tjetër pikë kërcënuese është populizmi; premtimet false (zakonisht gjatë fushatave elektorale) për lulëzimin ekonomik që do të përjetojë vendi natyrisht pasi të kenë mbaruar zgjedhjet. Premtime këto iluzore për një të ardhme të largët, tepër joshëse e që fatkeqësisht përfundojnë të mbuluara nga bloza e harresës në sirtarët zyrtarë.

Një shqetësim tjetër është transparenca e munguar në menaxhimin e tenderave, në menaxhimin e buxhetit shtetëror si dhe mungesa e theksuar e masave të kontrollit të pasurive të patundshme të funksionarëve në pushtet.

A ekziston te ne një instancë shtetërore që i mbikëqyr njerëzit në poste? A ekziston një instancë që ka të drejtë të kontrollojë lëvizjet dhe veprimet si të ekzekutivit bashkiak e po ashtu atij qendror? A ekziston një instancë që e kufizon shpërdorimin e asaj që quhet buxhet e që tek e fundit buron nga taksapaguesit - pra populli? Apo mos ndoshta këta qeveritarë gëzojnë të drejtën e një “diktatokracie”, ku vlen parulla “vetë vendos dhe vetë vulos”. Deri ku mund të shkojë ky vullnet i frikshëm e i paepur për pushtet dhe para?

Gjithë këta politikëbërës flasin në emër të demokracisë dhe harrojnë që janë pikërisht ata që e njollosin këtë term, janë pikërisht ata cenuesit e saj të drejtpërdrejtë.

Nëse e thërrasim në kujtesë përkufizimin e lartpërmendur të nocionit demokraci, de jure është populli ai që është në gjendje të kontrollojë dhe legjitimojë pushtetin në fuqi. Por për fat të keq, te ne ndodh e kundërta. Populli gëzon statusin e “skllavit të votave”, populli është vetëm një vegël në makinerinë e pashpirt të politikës.

Masmedia - pushteti i katërt

Pushteti i katërt i një shoqërie demokratike evropiane është ai i masmedias. Opinioni publik është bartësi kryesor dhe instrumenti legjitim i kritikës.

E drejta e medias nuk guxon në asnjë mënyrë të preket apo të ndikohet nga politikanë të korruptuar e të fiksuar pas pushtetit. Por në anën tjetër, media gjithashtu bart përgjegjësi, sepse duhet të veprojë me përgjegjësi ashtu siç është dhe e parashtruar në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Detyra e saj, në rastin ideal, do të ishte të përçojë realitetin, pa “truk”, të mos mbajë anë dhe të shmangë preferencat partiake. Mbase kjo e fundit ngjan me thënien e një politikani austriak, Franz Kreuzer: “Pyetja se a bëjnë masmediat politikë?” më kujton barcaletën e vjetër hebraike: “Nga çfarë ëmbëlsohet kafeja - nga sheqeri apo përzierja?”

Imazhi i njeriut demokrat evropian

Demokracia evropiane mishëron një imazh të caktuar të njeriut demokrat. Ai është imazhi i njeriut të iluminizmit, i njeriut të përgjegjshëm, të vetëdijshëm, të mirinformuar dhe autonom. Në këtë grupim bën pjesë dhe edukimi i përshtatshëm politik. Nëse këto karakteristika antropologjike vihen në dyshim, atëherë është e vështirë të flasim për demokraci.

Edhe pse forma legjitime qeverisëse në Mal të Zi është ajo e demokracisë përfaqësuese, ngjan më shumë se demokracia e ditëve tona s’është asgjë tjetër veç demokraci fiktive. Demokraci do të thotë atje ku dhe i dobëti dhe i forti kanë të njëjtat mundësi.

Ndërsa te ne, nëse rebelohesh, nëse merr guximin të ngresh zërin ndaj problemeve të lartpërmendura, rrezikon të etiketohesh e të përbuzesh nga strukturat që e gjejnë veten të përfshirë në dukuritë e cekura më lart. E nëse hesht, rrezikon të depersonalizohesh e mbase kjo e fundit është akoma më keq.

Një shoqëri evropiane nuk qëndron indiferente ndaj zhvillimeve politike që ndikojnë në cenimin e mirëqenies, drejtësisë, dinjitetit dhe vlerës së saj morale. Një shoqëri evropiane nuk lejon të trashëgohet miopia politike, sidomos në radhët e të rinjve. Një “classe politique” evropiane bën kujdes me “lakimin” e termit demokraci, sepse ajo u ngjan lëndëve toksike, të cilat nëse konsumohen në doza të pakontrolluara, mund të kenë konsekuenca fatale.

E në fund, mund të pyesim se çfarë guxon demokracia? Ajo guxon gjithçka dhe njëherit asgjë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›