Kapelo, Anglia optimiste, por hedh sytë nga Lipi
Pas zërave se Interi po interesohet për të emëruar Fabio Kapelon në krye të stolit, drejtuesit e Federatës Angleze kanë zhvilluar një bisedë telefonike me trajnerin e përfaqësueses. Diskutimi i zhvilluar ndërmjet Sër Dejv Riçards, drejtuesit të FA-së dhe njëkohësisht president i Premier League dhe teknikut të “Tre Luanëve” është cilësuar “pozitiv”. Një burim pranë federatës ka bërë të ditur se Kapelo mori garancitë që dëshironte nga Sër Riçards. Sipas informacioneve paraprake, gjatë telefonatës nuk është folur për rinovimin e mundshëm të kontratës, por vetëm rreth klauzolës, e cila e lejon “Don Fabion” të prishë marrëveshjen pas Botërorit 2010, apo federatës që të shkarkojë drejtuesin e stolit. Përpara se Anglia të fluturojë drejt Afrikës së Jugut, palët kanë programuar një takim, për të diskutuar ballë për ballë rreth së ardhmes. Federata Angleze është shprehur optimiste për qëndrimin e trajnerit italian, kontrata e të cilit skadon në vitin 2012. Gjithsesi, nuk mungojnë zërat se britanikët po studiojnë alternativat për zëvendësuesin e Kapelos, në rast se ky i fundit joshet nga aventura tek Interi. Kandidati potencial duket Marçelo Lipi, që më 12 qershor do të largohet nga stoli i Italisë, pavarësisht rezultateve të skuadrës në Kupën e Botës. Klubet apo federata që interesohen për trajnerin kampion bote janë të shumta. Juventusi dhe Milani i ofrojnë një rol drejtues, ndërsa FA e vlerëson punën që Lipi ka bërë me “axurrët”. Gjithsesi, interes ka shfaqur edhe Federata Spanjolle, nëse Del Boske largohet nga “furia e kuqe” pas botërorit.
#