Kapelo: Bekam luaj në Europë, ndryshe je jashtë Botërorit
Trajneri i Kombëtares angleze, Fabio Kapelo, i ka dërguar një mesazh të qartë mesfushorit Devid Bekam: "Vitin e ardhshëm luaj në Europë, në të kundërt nuk do të grumbullohesh për Botërorin 2010 në Afrikën e Jugut". 34-vjeçari luan në kampionatin amerikan me Los Anxhelos Galaksi që prej vitit 2007. Gjatë sezonit të kaluar, ish-lojtari i Mançester Junajtid dhe Realit të Madridit u aktivizua në formë huazimi me Milanin, por ai synon të rikthehet në Serinë A italiane. Kuqezinjtë janë shprehur të gatshëm t‘ia hapin sërish dyert yllit anglez, por më parë duhet gjetur marrëveshja me klubin amerikan. "Devid e ka të qartë se nëse nuk kthehet për të luajtur me një skuadër të madhe europiane në dhjetor, nuk do të ketë shanse për të luajtur në Kupën e Botës", deklaroi Kapelo për "Gazzetta dello Sport". Emri i Bekam është përfolur edhe për huazime në Premierligën angleze, ku Çelsi dhe Totenhemi janë kandidatet potenciale për të marrë shërbimet e mesfushorit të krahut të djathtë.