Stoner, tri gara jashtë pistës: Mjekët më thanë të pushoja
Keisi Stoner dhe Dukati "divorcohen" përkohësisht. Piloti australian nuk do të marrë pjesë në tri garat e ardhshme të MotoGP (Brno, Indi dhe Misano), për shkak të problemeve shëndetësore që e kanë munduar së fundmi. "Mjekët mendojnë se gjatë Çmimit të Madh të Barcelonës kam rënë në kontakt me një virus, i cili më ka shkaktuar probleme fizike. Kjo shpjegohet edhe me lodhjen që ndiej gjatë kësaj periudhe", deklaroi Stoner. "Pas diagnozës vendosëm të mos marr pjesë në tri garat e ardhshme, në mënyrë që të rikuperohem dhe të rikthehem në formën optimale. Megjithatë, mjekët po vazhdojnë analizat për të kuptuar shkakun, në mënyrë që të sigurohemi se kjo nuk do të ndodhë më". Gjendja fizike e Stoner nuk u përmirësua, pavarësisht pushimeve që piloti bëri në fermën në Australi. "Drejtuesit e Dukatit më mirëkuptuan. Më vjen keq për fabrikën, skuadrën time, sponsorët dhe tifozët. Do të bëj të pamundurën që të rikthehem në formën optimale në garën e Portugalisë", përfundoi ai.