E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapelo: Interi e K. Ronaldo janë më të fortët

Fabio Kapelo, trajneri i përfaqësueses angleze, nuk çuditet nga superioriteti i Interit në kampionatin italian. "Gjashtë pikët më shumë se vendi i dytë janë shumë të rëndësishme për skuadrën e Murinjos. Diferenca e krijuar nga ndjekësja më e afërt nuk më habit". Kjo edhe për faktin se drejtuesi i stolit të "Tre Luanëve" është njohës i mirë i lojtarit më të rëndësishëm të zikaltërve, Zlatan Ibrahimoviç. Kapelo e stërviti suedezin te Juventusi: "E kërkoja unë, por Ibrën donte ta blinte edhe Roma. Mendoj se dy vitet që kaloi në Torino i shërbyen që të rritej e të fitonte eksperiencë. Tashmë është një lojtar i klasit botëror". Në një intervistë për të përditshmen "Gazzetta dello Sport", Kapelo ka komentuar Serinë A në përgjithësi, duke folur edhe për skuadrat e tjera. "Roma e filloi sezoni me handikap, por është një skuadër me shumë potencial. Duhet të pranoj se më ka habitur më shumë Fiorentina, që ndodhet në vështirësi. Ndoshta problemet e ekipit të Prandelit kanë ardhur për shkak të Champions-it". Më tej ai analizoi Juventusin dhe Milanin: "Bardhezinjtë po bëjnë gjëra të mëdha. Janë kthyer në rolin e tyre historik, si një prej skuadrave më të forta. Sa për Milanin, më vjen keq që ka probleme mbi të gjitha në mbrojtje, nuk do të harroja as Napolin. Puna e shkëlqyer e drejtuesve të klubit dhe e trajnerit Reja duhet përgëzuar". Rreth David Bekham, Kapelo u qëndroi besnik parimeve të tij: "Nëse aktivizohet rregullisht te Milani, atëherë do ta grumbulloj në miqësoren e 11 shkurtit me Spanjën. Në të kundërt, mbetet jashtë skuadrës. Rregullat vlejnë njësoj për të gjithë". Në fund, 62-vjeçari preku edhe temën e "Topit të Artë", rreth debateve nëse Kristiano Ronaldo e ka merituar apo jo, trofeun e njohur ndryshe si "Lojtari Evropian i Vitit". "Ishte absolutisht më i miri gjatë sezonit të kaluar. Megjithatë, në të ardhmen besoj se për këtë trofe në garë do të jenë Mesi, Runi e Ibrahimoviç".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›