Mesi, i favorizuar në çmimin e FIFA-s, "Lojtari i Vitit"
Kristiano Ronaldo cilësohet si favoriti kryesor për fitimin e çmimit të FIFA-s, "Lojtari më i Mirë i Vitit". Por, sipas gazetës "El Mundo Deportivo", në mënyrë surprizë, pritet që i pari të renditet Lionel Mesi. Pasi ka humbur "duelet" për FIFPro dhe "Topin e Artë", ylli i Barcelonës mund të mposhtë Ronaldon në vlerësimin për futbollistin më të mirë në botë. Argjentinasi mund të përfitojë nga medalja e artë që fitoi në Lojërat Olimpike, Pekin 2008 dhe fillimi i jashtëzakonshëm i sezonit aktual. Duke u bazuar te këto fakte, e përditshmja katalane beson se në ceremoninë që do të mbahet në Nion gjatë janarit 2009, çmimin e parë do ta marrë pikërisht Mesi. Mesfushori me tipare sulmuese ka përjetuar një formë të shkëlqyer me kombëtaren dhe klubin dhe kjo mund t‘i mjaftojë për të fituar raundin e tretë me Kristiano Ronaldon. Ndërsa, pika më e fortë e portugezit të Mançester Junajted, janë 42 golat e shënuar gjatë edicionit të kaluar, me të cilat ndihmoi skuadrën të fitonte titullin kampion në Premiership dhe Ligën e Kampioneve. Nëse 21-vjeçari do të shpallej fitues, ai do të bëhet lojtari i dyti më i ri "blaugrana" që merr çmimin "Lojtari i Vitit", pas Ronaldos. Braziliani u shpall më i miri në botë vetëm kur ishte 20 vjeç.