Dokumenti sekret europian: “Rezoluta 1244 nuk parandalon pavarësinë e Kosovës”
Rezoluta 1244 nuk parandalon pavarësinë e Kosovës. Këtë fakt e përmban një dokument i përpiluar nga ekspertët juridikë europianë me karakter sekret, i cili i ka të gjitha argumentet kyçe legale. Elementi më i diskutueshëm në Rezolutën 1244 është çështja e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe më pas Serbisë, që sipas këtij dokumenti, i referohet vetëm periudhës tranzitore gjatë përcaktimit të statusit. Në dokument thuhet se referenca e integritetit territorial përmendet vetëm në një klauzolë të Rezolutës 1244. Në letrën sekrete që qarkullon te vendet anëtare të BE-së theksohet më tutje se pavarësisht nga dokumentet ndërkombëtare mosparaqitja e një etniteti sipas së drejtës ndërkombëtare, mund të merret vendim politik për njohjen. Shtetësia, thuhet në dokument, varet nga njohja e më shumë se një shteti. Bashkimit Europian i rekomandohet që të pajtohet në parim e të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa t'ua lërë vendeve anëtare që të vendosin për aspektin kohor dhe procedurat tjera në lidhje me këtë veprim. Përsa i përket misionit të BE-së në Kosovë, që kundërshtohet nga pala serbe dhe ruse, ekspertët ligjorë europianë e shpjegojnë me faktin se Rezoluta 1244 parasheh praninë civile, e cila nuk e specifikon nëse kjo duhet të jetë ekskluzivisht e Kombeve të Bashkuara. Shpjegimi më i thjeshtë i këtij dokumenti i referohet KFOR-it, i cili vepron me mandat të Rezolutës 1244. Sipas këtij dokumenti, rekomandohet që autoritetet kosovare, pas shpalljes së pavarësisë, t'i bëjnë thirrje Misionit të BE-së që të instalohet në Kosovë dhe KFOR-it që të mbetet në vend dhe në këtë mënyrë i jepet edhe një bazë e fuqishme ligjore.
Rezoluta 1244 është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 1999-n dhe u vendos për zgjidhjen e situatës së rëndë humanitare në Kosovë si dhe për garantimin e kthimit të sigurt të të gjithë refugjatëve të shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Ai dënon të gjitha aktet e dhunës kundër popullsisë së Kosovës, si dhe të gjitha aktet terroriste të cilësdo palë.
Doris Pak: “Statusi i Kosovës duhej zgjidhur më 1999-n”
Eurodeputetja gjermane në Parlamentin Europian, Doris Pak, ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare ka bërë një dështim të madh, sepse statusin e Kosovës duhet ta kishte zgjidhur në vitin 1999. Sipas diplomates gjermane, nëse do të ishte kryer ky veprim gjithçka do të ishte zgjidhur, Kosova do të ishte e pavarur dhe Serbia do të ishte pjesë e Bashkimit Europian. “Ajo çfarë bëri bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999 ishte de fakto pavarësia e Kosovës me një mbikëqyrje apo protektorat ndërkombëtar. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë Serbia do të shkonte drejt rrugës së saj për në BE, ndërsa Kosova do ta përmirësonte gjendjen e vet. Ne kemi humbur nëntë vjet, sepse nuk kemi bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar këto vende për ta kapërcyer këtë situatë”, - është shprehur Pak. Sipas saj, nëse nuk do të ketë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, atëherë është e drejta e kosovarëve dhe jo e BE-së që të bëjnë shpalljen e pavarësisë në koordinim me ndërkombëtarët. “Nëse Këshilli i Sigurimit nuk nxjerr rezolutë, atëherë nuk është për ne që të bëjmë diçka, por është punë e kosovarëve që ta bëjnë atë, atë që kanë për ta bërë në rrugë të koordinuar dhe ata kanë premtuar se nuk do të bëjnë asgjë pa koordinimin e hapave me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - është shprehur eurodeputetja gjermane Pak.
18 Dhjetor 2007