Finalizohet Kushtetuta e Kosovës
“Kushtetuta e Kosovës është finalizuar”. Kështu ka deklaruar bashkëhartuesi i saj Arsim Bajrami. Kjo kushtetutë e parasheh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe, sipas tij, nuk ka asnjë nen të pazgjidhur, sepse gjithçka është sqaruar. Bajrami gjithashtu ka pohuar se kjo kushtetutë për nga karakteri është konstituive, ndërsa forma e qeverisjes së shtetit do të jetë Republikë Parlamentare duke avancuar rolin e presidentit. Me Kushtetutën e Kosovës do të themelohen institucionet e reja, të cilat deri tani i kanë munguar Kosovës, siç janë: Gjykata Kushtetuese, Shërbimi i Inteligjencës dhe një varg institucionesh të tjera. Ushtria e ardhshme e Kosovës do të quhet Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila më vonë do të shndërrohet në ushtri. Sipas bashkëhartuesit të Kushtetutës, Bajrami, çështja e simboleve të shtetit të ardhshëm është duke u zvarritur nga institucionet e Kosovës dhe si justifikim përmendet mosdefinimi i statusit. Kohë më parë Komisioni për Simbolet ka përzgjedhur mbi tre mijë propozime për stemën dhe flamurin shtetëror të Kosovës në bazë të disa kritereve të kërkuara në konkurs. Por komisioni ende nuk ka bërë përzgjedhjen e propozimeve për flamur si dhe propozimeve për stemën e Kosovës.
18 Dhjetor 2007