Sejdiu: “Më 19 dhjetor do të kërkojmë përkrahjen e vendeve anëtare të KS-së”
Në fjalimin e Këshillit të Sigurimit do të kërkohet përkrahje për zgjidhjen e statusit të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare. Kjo ka qenë deklarata e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, para udhëtimit për në Nju-Jork, ku më 19 dhjetor do t’i jepet e drejta e fjalës në Këshillin e Sigurimit. I pranishëm do të jetë edhe kryeadministratori Joakim Ryker dhe kryeministri i ardhshëm, Hashim Thaçi. Para nisjes për në Nju-Jork, presidenti Sejdiu tha se në fjalimin e tij do të përfshihen të gjitha pikëpamjet për të ardhmen e Kosovës. “Ne po shkojmë në këtë takim të rëndësishëm dhe është mirë që do të prezantoj në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës për gjithë atë që kemi arritur deri tani, për atë që kemi vizion, për të ardhmen e Kosovës. Natyrisht do të kërkojmë mbështetjen e përgjithshme të vendeve anëtare. Do të jetë një mundësi e mirë se do të takoj disa nga delegacionet që janë për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, si Kostarika, Vietnami, Libia dhe Kroacia”, - ka thënë presidenti Sejdiu. Ai ka theksuar gjithashtu se është e rëndësishme që Kosova të dëshmojë gatishmëri. Delegacioni kosovar, përveç takimit në Këshillin e Sigurimit, do të ketë edhe takime me ministra të Jashtëm të disa shteteve, ndër ta edhe me ministrin e Jashtëm italian Masimo Dalema dhe me diplomatë të lartë amerikanë.
18 Dhjetor 2007