Kapelo-Liverpul: Mes tyre tashmë ka luftë
Ka luftë mes Fabio Kapelos dhe Liverpulit. Fajin e ka një dëmtim i lehtë muskulor i Stiven Zherrard (flitet për një stop nga 7-10 ditë) gjatë sfidës kundër Boltonit (ku për më tepër kapiteni luajti për gjatë gjithë 90 minutave, madje duke shënuar gol). "Ekografia ka konfirmuar një dëmtim të muskulit, ka thënë zëdhënësi i ‘Reds‘, Ian Koton, dhe Zherrard do të qëndrojë jashtë fushave për 7-10 ditë". Një diagnozë, e cila nuk e ka bindur trajnerin italian, që jo vetëm e ka konfirmuar Zherrardin në listën e të grumbulluarve, duke sfiduar Liverpulin, por edhe e ka urdhëruar lojtarin të paraqitet në "Grove Hotel" të Uatfordit për t‘u vizituar nga doktorët e skuadrës angleze. Vizita e mjekëve të Kombëtares ka konfirmuar diagnozën e atyre të Liverpulit dhe më pas Zherrard është kthyer në shtëpi. Sikurse nënvizon "The Independent", që kur drejton "Tre Luanët", është hera e parë që Kapelo ushtron të drejtat e tij si trajner për të thirrur lojtarë të njoftuar si të dëmtuar nga klubet e tyre dhe për t‘i vizituar ata nga mjekët e Kombëtares. Një reagim i justifikuar nga mungesat e shumta, që po shqetësojnë Anglinë dhe që rrezikojnë ta transformojnë ndeshjen miqësore ndaj Gjermanisë në një farsë. Mes emrave që mungojnë në apel janë edhe ata të Frenk Lampard, Rio Ferdinand, Uejn Runi e Xhon Terri dhe "The Sun" nënvizon se trajneri duhet të sillet njësoj edhe me yjet e Mançester Junajtid. Sipas një komunikate zyrtare të Federatës Angleze të Futbollit, forma fizike e Territ dhe e Zherrard gjithsesi do të vlerësohen, para se të jepet një vendim përfundimtar.