E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Seria A, nuk pëlqehet nëpër botë"

Hoze Murinjo vazhdon të ngrejë polemika dhe të jetë në qendër të vëmendjes në Itali. Përpara se të fillojë përgatitjen e ndeshjes së të shtunës me Juventusin, trajneri portugez ka vënë në diskutim vlerat e Serisë A.

Çmimi - Nga Koverçano, ku ndodhej së bashku me kolegët e tjerë, për vlerësimin e paraardhësit të tij, Roberto Mançini, i cili u shpall "Stoli i Artë" 2007-‘08, Murinjo rihapi debatin rreth cilësisë së kampionatit përtej Adriatikut. Gjithçka ndodhi pas përgjigjes ndaj Marçelo Lipit: tekniku i Kombëtares "axurre" e pyeti nëse edhe ai mendonte se Seria A është kampionati më i bukur dhe më i vështirë në botë, falë vëmendjes që i kushtohet përgatitjeve të sfidave. "Të gjithë kampionatet janë të vështirë, trajnerë të zotë ka gjithandej dhe në asnjë vend nuk është e lehtë të fitosh, ishin fjalët e para të drejtuesit të stolit të Interit. Ne portugezët jemi si juve italianët. I kushtojmë shumë rëndësi fitores, pavarësisht nëse vjen në minutën e fundit dhe skuadra nuk ka luajtur në mënyrë spektakolare. Është e vërtetë, futbolli italian është mjaft i vështirë, kërkon përgatitje të madhe nga ana e trajnerit. Për shembull, në ndeshjen kundër Xhenoas kam ndryshuar tre apo katër herë taktikën e skuadrës, por në çdo rast kundërshtarët arritën t‘i përshtateshin lojës sonë. Për mua si trajner, Seria A është një spektakël fantastik".

Por... - Megjithatë, pas elozheve, Murinjo lëshoi një "shigjetë" për aktivitetin, që dikur cilësohej si më i bukuri në botë. "Edhe pse mund të mos e jap përshtypjen, unë ndihem një prej jush dhe më intereson shumë produkti që ofron kampionati italian, vijoi ai. Më duhet të them, se në vendet e tjera, ky produkt nuk pëlqehet. Mendoj se ai nuk shitet as në një kontinent si ai aziatik. Për ta ndryshuar këtë gjë, duhet të punojmë në të ardhmen".

Mançini - E kaluara dhe e tashmja e stolit të Interit u përshëndetën. Në Koverçano, Hoze Murinjo ishte ulur katër radhë më lartë se paraardhësi i tij, Roberto Mançini, të cilin e përshëndeti me shumë ngrohtësi në momentin e hyrjes në sallë. "Përqafimi me Murinjon? U përshëndetëm me një shtrëngim duarsh, ashtu siç bëhet me çdo koleg. Nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Hoze është një trajner i madh dhe një personazh karizmatik. Interi i tij? Skuadra ishte e fortë kur e drejtoja unë, por u përforcua edhe më shumë. Mendoj se edhe në këtë sezon, ata janë pretendentët për titull". Ish-tekniku zikaltër fitoi çmimin "Stoli i Artë" për sezonin e kaluar, ku u shpall kampion i Italisë me Interin. Ai fitoi pas votave të trajnerëve të tjerë.

Merkato - Ndërkohë që flet për të "ngritur" imazhin e futbollit italian, Murinjo mendon edhe për merkaton. Luzitani është vënë në gjurmët e sulmuesit të Mançester Junajted, Karlos Tevez. Britanikja "The People" theksonte se trajneri zikaltër ka filluar bisedimet me Kia Jorabkian, presidentin e kompanisë "Media Sports Investments", e cila zotëron kartonin e lojtarit argjentinas. Tevez është ankuar për pozicionin në të cilin e aktivizon Ferguson, që nuk e lejon të jetë më i rrezikshëm në portën kundërshtare. Megjithatë, largimi i tij nga "Djajtë e Kuq" drejt Interit duket i vështirë për t‘u realizuar. Interesimi për sulmuesin lidhet me largimet e mundshme të Krespos dhe Adrianos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›