Kapelo: Mjafton vetëm Mutu
16/01/2005 Pas asaj që bëri me Atalantën, në Kupën e Italisë, do të jetë shumë e vështirë që ta lërë në pankinë. Trezege është kthyer në mënyrën më të mirë, në 90 minutat e para pas dëmtimit, francezi ka shënuar 2 gola (ku njëri është anuluar pa të drejtë) dhe ka provokuar një autogol. Kapelo në Kaliari dëshironte të nisej me Del Pieron dhe Ibrahimoviçin që nga minuta e parë, por tani është duke vlerësuar seriozisht, edhe hipotezën e francezit me Pinturikion në pankinë, i gatshëm për t’u futur në pjesën e dytë. “Që në minutën e parë Tregeze? Nuk e di, ka thënë trajneri bardhezi në konferencën e shtypit. Gjithçka do ta vendos përpara ndeshjes. Kam akoma disa dyshime, por kam akoma kohë për vendosur. David tashmë është rekuperuar plotësisht, në Kupën e Italisë ka luajtur 90 minuta dhe nuk ka treguar asnjë frikë në kontaktet fizike. Është një lojtar zone dhe jeton për golat. Të zhbllokohesh në ndeshjen e parë të rikthimit, besoj se të jep shumë besueshmëri”. Riforcimi tjetër për Fabio Kapelon, quhet Adrian Mutu, i cili ka ardhur në Torino, me kosto zero: “Mutu te Parma ka dhënë përshtypjen e një klasi të vërtetë, njeh shumë mirë kampionatin italian dhe ka karakteristika, të cilat mund të na ndihmojnë shumë. Jam shumë i kënaqur për këtë transferim, i cili ka ardhur me parametra zero. Mutu është një lojtar që shkon shumë mirë për Juven”. Në Kaliari, bardhezinjtë duhet të përballen me sulmin më të mirë të Serisë A për Fabio Kapelon: “Shkojmë atje për të fituar, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Suazo, Espozito dhe Lanxhela janë tre sulmuesit më të shpejtë në Itali, për më shumë duhet të jemi të kujdesshëm edhe nga Zola, sepse ai është një kampion i vërtetë. Ka mbajtur lart emrin e Italisë në Angli dhe ka arritur të fitojë një vlerësim shumë të rëndësishëm: Zola është një lojtar shumë serioz”. Ndërsa, batutën e fundit e thotë në drejtim të Totit: “Është një klas, një lojtar i madh që të gjithë e dëshirojnë ta kenë në skuadër. I njëjti vlerësim është edhe për Kasanon. Por tani, le të mendojmë për Mutun, Trezegen dhe për gjithë të tjerët. Më duket se jemi mëse në rregull”.