Djali i sëmurë vdiq në ushtri, bie në gjyq padia e prindërve
Fatos Mahmutaj
Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë e dy prindërve përmetarë kundër Ministrisë së Mbrojtjes, për vdekjen e djalit të tyre pas plagosjes në shërbimin ushtarak. Plot 15 vjet pas vdekjes së djalit të tyre, prindërit e tij u janë drejtuar togave të zeza për të konstatuar të pavlefshme librezën ushtarake lëshuar për djalin e tyre, të ndjerin Gazmir Pashollari nga Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Degës Ushtarake Përmet. Kjo, për pavërtetësi të dhënash. Po kështu, dy prindërit Kastriot dhe Feruze Pashollari kërkuan gjithashtu shpërblim dëmi jopasuror në masën prej 4 milionë lekë të reja për humbje të jetës në detyrë të djalit të tyre, për shkak të thirrjes në shërbimin e detyrueshëm ushtarak pa të drejtë. Po kështu, kjo kërkesë e tyre u argumentua me fshehjen e shkakut të vërtetë të vdekjes si dhe prekje të nderit dhe fyerje të kujtimit të tij. Gjykata e Tiranës pohon se sipas përmbajtjes së librezës së lëshuar nga Dega Ushtarake e Përmetit më datë 1 qershor 1992, për të ndjerin Gazmir Pashollari, i datëlindjes 23 shkurt 1976, në përmbajtjen e saj është shënuar lidhur me aftësitë fiziko-shëndetësore të tij se, ai është i aftë për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, shënim i cili mban datën 31 korrik 1992. Më 10 tetor 1994, Pashollari është mobilizuar në Repartin Ushtarak numër 5013 Berat dhe më 9 prill 1995 është plagosur aksidentalisht nga një shok i tij me armë zjarri. është shtruar në Spitalin Ushtarak Qendror Universitar nga 11 prilli 1995 deri në datën 14 maj 1995, kur ka ndërruar jetë me diagnozën: "plagë armë zjarri, peritonit i gjeneralizuar, operuar më 23 prill 1995". Gjykata pohon se i ndjeri Pashollari që në moshën 7 vjeç ka qenë diagnostikuar në Spitalin e Përmetit me kartelën me numër 87 me diagnozën: "Anemia Hypokrome për t'u determinuar abses perianal dextër (Hemofilia)". Pikërisht nga ky fakt kanë marrë shkas prindërit për ngritjen e padisë, 14 vjet pas ngjarjes tragjike me pasojë vdekjen e djalit si rrjedhojë e thirrjes në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Gjatë kohës që shërbente në ushtri, ai është plagosur aksidentalisht nga një shok me armë zjarri dhe me gjithë ndihmën mjekësore për shkak të sëmundjes që e shoqëronte, gjaku i hedhur nga jashtë nuk asimilohej, e për pasojë nuk arriti të mbijetojë. Prindërit pohuan se provohej plotësisht se i ndjeri qe diagnostikuar që i vogël nga sëmundja e hemofilisë dhe bazuar në Rregulloren e Aftësive Fiziko-Shëndetësore, personat që kanë këtë sëmundje janë të paaftë për të kryer shërbimin ushtarak dhe nuk rekrutohen nga Dega e Rekrutim Mobilizimit, ndërsa të dhënat në librezë janë konsideruar fiktive. Konstatimi i pavlefshëm i librezës, sipas paditësve duhet të zgjidhë edhe pasojat, duke e detyruar Ministrinë e Mbrojtjes të dëmshpërblejë dëmin jopasuror të pësuar. Sipas tyre, për rrjedhojë të librezës u është shkaktuar dëm moral nga dhimbja e humbjes së fëmijës, nga ulja e cilësisë së jetës për shkak të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka ndikuar edhe në shëndetin fizik e mendor të tyre etj. Ndërkohë përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes kërkuan rrëzimin e padisë. Në vendim gjykata argumentoi se libreza e të ndjerit nuk është akt administrativ, por një dëshmi evidentimi e tij si subjekt i detyrimeve kushtetuese. Më tej gjykata argumentoi se Dega Ushtarake Përmet nuk ka pasur faj, pasi nuk është informuar nga organet përkatëse lidhur me gjendjen shëndetësore të të ndjerit. Ky institucion nuk ka përgjegjësi nga shkaktimi i dëmit, pasi nuk ekzistojnë njëkohësisht katër elementetë si: ekzistenca e paligjshmërisë së veprimit apo mosveprimit, elementi faj dhe lidhja shkakësore.