E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo “ngel në klasë” futbollin italian

LONDER- Trajneri i kombëtares angleze Fabio Kapelo është bërë për një ditë pedagog universiteti, duke mbajtur një leksion mbi menaxhimin e sportit dhe evenimentet sportive në Universitetin e Parmës. I pyetur nga gazetarët italianë dhe anglezë në lidhje me skandalin Xhon Terri, Kapelo nuk bëri asnjë koment, ndërsa në fjalën e tij para auditorit në Parma, ngeli në klasë futbollin italian. Ai foli edhe për ndryshimin mes të qënit trajner kombëtareje dhe klubi. “Diferenca më e madhe është se kur drejton një ekip kombëtar, vëmendja e gjithë kombit është te ty dhe ti e ndjen këtë vëmendje”, tha tekniku italian. Tifozët e dhunshëm ishte një tjetër çështje e prekur nga Kapelo. “Futbolli bëhet i shkëlqyer dhe shumë i bukur kur në stadium shkojnë njerëz apo familjarë, bashkë me fëmijët e tyre. Kjo është një gjë shumë e bukur. është diçka që të jep kënaqësi dhe të bën krenar. është e mjerueshme që në Itali, ashtu siç pamë të dielën e shkuar në Udineze-Napoli, gjërat nuk po shkojnë siç duhet në këtë aspekt. Në Itali, stadiumet janë plot gjysmë ore para, ndërsa në Angli mbushen vetëm 10 minutat e fundit, sepse të gjithë kanë një vend ku të ulen”, deklaroi trajneri i kombëtares angleze. Ai nuk harroi të shigjetonte tifozët ultras, që janë kthyer në një problem madhor në stadiumet italiane javë pas jave, ndërsa gjykoi se në Angli arbitrat dhe lojtarët kanë më shumë respekt për njëri-tjetrin. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›