Kapelo u lejon birrën lojtarëve dhe rigjen fitoren
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, zbuloi se ai i kishte lejuar lojtarët e tij të pinin birrë natën përpara ndeshjes së firuar kundër Sllovenisë, duke deklaruar se ai ishte i kënaqur me mënyrën se si ekipi rizbuloi shpirtin që i kishte munguar në barazimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe Algjerisë. Kapelo, disiplina e të cilit ishte shndërruar në një çështje gjatë dy javëve të fundit, tha: “Dje në mbrëmje lojtarët pinë birrë para ndeshjes. Dhe unë pashë ekipin të luante me shpirtin të cilin e kishin humbur në dy ndeshjet e para. Performanca ishte shumë e mirë dhe ne krijaum shumë shanse për të shënuar një gol të dytë. Ky ishte shpirti që unë kujtoj kur ne luanim në ndeshjet kualifikuese. Jam shumë i lumtur me performancën e ekipit, ne luajtëm fort, sulmuam topin dhe kjo ishte e rëndësishme nëse ën do të donim të fitonim”. Kapelo tha se e zëvendësoi Runin pasi kavilja e tij nuk ishte dhe aq mirë. “Ai kishte probleme”. Kapelo rivlerësoi edhe një herë tjetër ish-kapitenin Xhon Terri. “Ai është një lider. Unë nuk kam probleme me lojtarët. Unë i respektoj lojtarët dhe ata mua. Ishte shumë e rëndësishme performanca e Territ, por të gjithë lojtarët luajtën me të vërtetë mirë”. Kapelo beson se Anglia mund të përmirësohet gjatë rrugës. Më fund Fabio Kapelo merr frymë i qetë. Anglia e tij u kualifikua midis 16 më të mirave të Botërorit falë fitores 1-0 kundër Sllovenisë, me një gol të realizuar nga Zhermen Defo në minutën e 23-të, ndërkohë që Uejni Runi goditi shtyllën. Mision i përmbushur për “tre luanët” në fazën e grupeve, por me vendin e dytë në grup, pasi Shtetet e Bashkuara fituan me Algjerinë, po 1-0, me një gol të Donovan (91’). SHBA-të dhe Anglia vazhdojnë rrugën e Botërorit, ndërkohë që Sllovenia dhe Algjeria i japin lamtumirën Afrikës së Jugut.
SHBA-ja, kualifikim me gol “made in Hollivud”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguruan vendin e parë në grupin C dhe një vend në fazën e një të tetave, falë një goli “made in Hollivud” të Donovan, pikërisht në minutat shtesë të ndeshjes kundër Algjerisë. Amerikanët ishin dukshëm superiorë gjatë gjithë ndeshjes dhe patën raste shumë të qarta për të shënuar. Algjeria e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të kapitenit Yahia në sekondat e fundit të takimit. Rafik Djebur goditi shtyllën për Algjerinë në pjesën e parë, ndërkohë që gjyqtari anuloi nëj gol të realizuar nga Klint Dempsej në minutën e 40-të. DempSej goditi traversën në pjesën e dytë. Trajneri i Shteteve të Bashkuara, Bob Bredlej, tha pas ndeshjes.: “Ne kemi krenarë. Përfunduam të parët në grup. Pesë pikë. Nuk humbëm asnjë ndeshje. Kështu ne jemi gati për sfida të tjera”. Takimin e ndoqi edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në prani të presidentit të FIFA-s, Jozef Blater. Klinton përshëndeti lojtarët amerikanë pas ndeshjes. Në takimin Angli-SHBA ishte i pranishëm zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Xho Bajdën.
Golat, mesatare e ulët në Botëror
Mesatarja e shënimit deri tani është më e vogël se në vitin 2002 dhe 2006
Botërori i Afrikës ka shfaqur një tendencë të skuadrave me një rreshtim të fortë në mbrojtje dhe golat janë të pakët, të paktën në 36 ndeshjet e para të luajtura. Në vitin 2002 u shënuan 98 gola, me nje mesatare 2.72 gola për ndeshje, ndërkohë që në vitin 2006 u shënuan 98 gola (mesatarja 2.42). Në Afrikën e Jugut jemi në kuotën e 77 golave (2.14). Edhe diferenca e golave të shënuar me ato të pësuar është vogël. E vetmja ndeshje me goleadë të madhe është ajo 7-0 e Portugalisë kundër Koresë së Veriut.
AMERIKANOJUGORET – Mjafton t’u hedhësh një sy skuadrave nga Amerika e Jugur dhe kupton se ato janë padronet e vërteta të këtij Botërori. Uruguai, Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Kili (tri të parat janë të kualifikuara për në një të tetat, dy të tjerat janë shumë afër) kanë pësuar deri tani 4 gola në 12 ndeshje të luajtura. Amerikanojugoret pësojnë 0.33 gola për ndeshje; europianet 0.86, amerikanoverioret 1.14; afrikanet 1.29; oqeaniket (përfshirë dhe Australinë) 1.75 dhe aziatiket 2.29 gola për ndeshje.
BOMBERËT – Përsa u përket sulmuesve, argjentinasi Gonzalo Higuain kryeson me 3 gola në po aq takime, të tjerët nuk e kalojnë kuotën e dy golave (Vija, Forlan dhe Luis Fabiano midis tyre). Po, Mesi, Kaka, Kristiano Ronaldo, Torres, Kloze, Drobga. Së bashku kanë shënuar shifrën mizerabël të tre golave.
TOPI – Çështja e topit “Jabulani” ka qenë në qendër të vëmendjes. Disa gola janë pësuar edhe për fajin e portierëve të frikësuar nga goditjet apo moszotërimit të sferës.
24 Qershor 2010