E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rozi Kostani: “ Komedia ‘Më e vërtetë se e vërteta’ një iluzion”



“Më e vërtetë se e vërteta” është premiera që shfaqet sot në teatrin “Metropol” për tre net me radhë në sallën “Çehov” me regji të Rozi Kostanit. Një komedi e shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë, etj, na vendos përpara situatave intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj që tentojnë të prekin dashurinë. Gjatë një interviste për gazetën “Albania” regjisoria Kostani na rrëfen hapat në përzgjedhjen e kësaj komedie dramatike dhe bashkëpunimet me tre aktorët Neritan Liçaj, Luli Bitri dhe Lulzim Zeqja. Me këtë komedi Rozi Kostani tenton të afrojë publikun me një komedi sa interesante, po aq edhe intriguese. Ku shkojnë kufijtë e dashurisë njerëzore? A njeh kjo ndjenjë limitet e ndjesive, apo bota e sotme e shpejtë dhe dinamike e ka kthyer në shtresëzim të ngurtë të paprekshme dhe të pakuptueshme? Dilema e përjetshme e dashurisë dhe moskuptimit në çift vjen në një strukturë të mirë organizuar nga autori, i cili gjen një personazh të ftohtë-robotin Kloe, për të zgjidhur dilemat dhe pikëpyetjet.

Jeni në ditën e fundit të provave për komedinë “Më e vërtetë se e vërteta”. Çfarë mund të na thoni më shumë?

Kjo është një komedi e një autori francez i cili është dramaturg, regjisorë dhe aktor. Është një ndër dramaturgët më të famshëm në Francë Martial Courcier, e cila është shkruar në vitin 2001 dhe është vënë pothuajse në të gjitha skenat e teatrove të Parisit dhe më gjerë si në Belgjikë, Londër, Itali për të mos thënë në të gjithë skenat europiane. Kjo komedi ka fituar një çmim “Molier” në vitin 2001 dhe është goxha atraktive për mënyrën sesi e shikon ai marrëdhënien në çift, se si e shikon ai digjitalizimin e jetës tonë dhe paralelizmin që bën ai në mënyrë pinokio në të ardhmen; si është pinoku dhe si shikohet sot dhe jo vetëm në marrëdhënien at-bir por në marrëdhënien dashurore. Me pak fjalë nevoja jonë për tu shkëputur nga ky lloj digjitalizimi që na ka pushtuar, sigurisht që është pjesë e jetës tonë dhe na ka ndihmuar goxha por ama është shkëputur nga njeriu dhe që në titull ai jep “Më e vërtetë se e vërteta”. Por çfarë është më e vërtetë se e vërteta? Asgjë në këtë botë nuk është më e vërtetë se e vërteta se natyralja pasi në fakt origjinali është më i vërtetë se i natyrshmi, asgjë nuk është më e vërtetë se natyra vetë. Sado që ne përpiqemi të shpikim çdo gjë, të shpikim robot apo çdo gjë asgjë nuk është e vërtetë. Mënyra se si e ka futur në këtë pjesë dhe nëpërmjet robotit personazhit tonë i jep të kuptojë se çfarë do të thotë të jetosh, dhe çfarë duhet të bësh ti për të zgjidhur jetën tënde. Mënyra për të plotësuar boshllëqet e brendshme është të kërkosh te njeriu përballë, të kërkosh me sy, të komunikosh, të ndash emocione me të, të ndash ndjesi; pra shpirti nuk është i përbërë as prej metali as prej mishi ai është i përbërë prej ndjesive. Në momentin që ne i humbasim këto ndjenja përball njerëzve që ne kemi përballë atëherë do të thotë që ne jemi në një boshllëk.

Pse pikërisht një komedi franceze në skenën shqiptare?

Qëllimi që unë kam zgjedhur këtë komedi në radhë të parë është një komedi dramatike e cila i përmban të gjitha ngjyrat përbrenda, është një komedi e larmishme, ka mesazhe shumë të forta, ka ndjesi njerëzore, dashurore dhe dhimbje. Të gjitha këto janë të ndërthurura mjaftë mirë dhe në mënyrë perfektë. E veçanta tjetër në këtë komedi është se mua më ka intriguar këndvështrimi në të cilin e kam vendosur pasi unë e kam vënë në një stad iluzioni pra është dhe nuk është, është ndjesia jonë që kemi përballë gjërave, përballë njerëzve, është humbja jonë në rutinën e përditshme. Në këtë komedi dramatike kam dashur të tërheq vëmendjen dhe te themi ejani të ndjejmë, tashmë ne mund të ndjejmë. Shkenca mund të shpiki çdo gjë por janë të gjitha hekura.

Keni përzgjedhur tre aktor që i përkasin brezit të ri, por që kanë spikatur mjaftë mirë në skenën shqiptare. Çfarë mund të na thoni mbi këtë bashkëpunim?

Është një bashkëpunim që më ka dhënë kënaqësi hap pas hapi. Është një pjesë që është punuar me shumë dashuri nga të gjithë ne. Në vepër moshat i përkasin këtyre moshave si të Neritanit, Lulit dhe Luli Bitrit dhe në një farë mënyre kam qenë e detyruar të zgjedh këto personazhe sepse nuk doja ti devijoja në mosha të tjera. Përzgjedhja e aktorëve ka qenë e pikasur i kam rënë kokës pasi unë jam shumë e kënaqur presim publikun të jap përshtypjet e veta. Kemi punuar me pasion me dashuri, janë njerëz të përkushtuar të cilët punojnë me entuziazëm, pasionant ndaj roleve, dashurojnë rolet me pak fjalë kanë arritur ta prekin të vërtetën, të natyrshmen.

Një pedagoge prej disa vitesh në AAB, dhe një aktore e shkëlqyer. Është hera e parë që vë në skenë një vepër si regjisore?

Në fakt është hera e parë që vë një vepër si regjisore si projekt privat, pasi është e tëra një ndërmarrje private sigurisht në bashkëpunim me teatrin “Metropol” dhe me këtë rast falënderoj drejtorin e “Metropol”-it i cili na i ka hapur dyert dhe na ka ofruar një komoditet shumë të madh dhe kjo nismë është një shtysë shumë e madhe për brezin e ri. Sigurisht si pedagoge ka dhjetë vite që vë në skenë vepra në bashkëpunim me studentët pasi unë vë dy shfaqje në vit. Ndërsa me staf profesionist është hera e parë që vë një shfaqje si regjisore.

Si e shikojmë Rozi Kostanin mes aktrimit dhe regjisurës?

Janë dy ndjesi të veçanta por asnjëherë nuk i ndajë dot. Për mua aktrimi dhe regjisura janë të lidhura shumë ngushtë dhe asnjëherë skam ditur ti ndajë.

Kush janë projektet që do t’ju shfaqin gjatë muajve në vazhdim?

Në fakt sapo kam mbaruar një shfaqje e cila ishte “Etja e Oxhinonelit”, ishte një rol shumë i vështirë kam pasur një eksperiencë shumë të mirë, kemi interpretuar së bashku me Arben Derhemin me një regjisor të ri që i përket një plejade të re që sapo ka dalë nga shkolla shumë i talentuar. Gjatë muajve në vazhdim kam disa projekte të tjera që i përkasin sërish regjisurës.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›