Topi merr pjesë në Samitin mbi korridoret kulturore “Muzika si një metaforë e dialogut kulturor”
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, ka realizuar një vizitë treditore në Republikën e Turqisë ku ka marrë pjesë në Samitin e SEECP-it dhe në Samitin mbi korridoret kulturore “Muzika si një metaforë e dialogut kulturor” që është mbajtur në Stamboll. Gjatë fjalës së tij në Samitin mbi korridoret kulturore ai tha se “Muzika si metaforë e dialogut kulturor” që mbahet këtu në Stamboll, qytetin simbol të pranisë së civilizimeve të hershme, i pohova vetes, se, korridori ynë muzikor është një ndër korridoret historike të komunikimit që ka mbetur i pakushtëzuar mes nesh. Ai asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka qenë i mbyllur”. Më tej ai cilësoi “Ky korridor shpirtëror: në pamje të parë i padukshëm, por i mrekullueshëm, shumëngjyrësh, shumëformësh, shumëzërësh dhe i larmishëm, i krijuar nga popujt tanë prej mijëra vitesh, i mbajtur gjallë prej gjuhës së kënduar, valleve dhe veglave muzikore, gjithmonë ka ekzistuar dhe na ka mbajtur të lidhur edhe në kohët më të vështira, kohë kur arsyeja mungonte dhe vendin e saj e kishte zënë gabimisht forca. Duke parë përtej larmisë së gjuhëve, ngjyrave të kostumeve, ritmit të valleve dhe llojeve të ndryshme të veglave muzikore, në të gjitha vendet tona, pjesëz e botës së madhe, popujt derdhën në muzikën e tyre popullore, në këtë trashëgimi të spikatur kulturore, një lëndë shpirtërore të pazëvendësueshme për vazhdimin e jetës njerëzore, e për më tepër, një“ushqim artistik” të prodhuar nga njerëzit për njerëzit, përmes gjuhës mbarë botërore të tingujve muzikorë.
Në vendin tim, në Shqipëri, ka një shprehje të urtë popullore që thotë:“Kënga dhe përralla s`kanë zot”. Besoj se kuptimi i saj i vërtetë gjendet në mënyrën se si një krijim muzikor popullor krijohet, pra, përmes një procesi artistik të gjatë e të vështirë, i cili përfshin qindra e mijra njerëz, përgjatë një limiti kohor që shtrihet në dhjetëra e qindra vjet. Ky proces sa human e njëkohësisht po aq artistik, i pandikuar nga klima dhe sistemet politike, fsheh në thelb krijimin e gjuhës muzikore si mjet komunikimi dhe si kulturë e paqes, pasi vetë muzika dhe këngët popullore në mënyrë të veçantë, shndërrohen dalëngadalë, përmes “gjuhës” së tingujve, edhe në simbole kulturore të çmuara për identitetin e popujve dhe vendeve tona. Përmes larmisë së kësaj tradite muzikore, popujt tanë kanë ushqyer dhe ushqejnë diversitetin kulturor si thelb i jetës dhe i humanizmit, kanë ngritur korridoret e komunikimit dhe marrëdhënieve miqësore mes komuniteteve të ndryshme si dhe kanë dialoguar kulturalisht, me popujt e tjerë fqinjë, por edhe më gjerë- pohoi Presidenti Topi.
24 Qershor 2010