Makinat me targa të huaja, 60 ditë pa taksa
Makinat me targa të huaja do të mund të udhëtojnë falas në territorin e vendit tonë vetëm 60 ditë në vit. Pas kësaj kohe ato duhet të paguajnë tarifën e qëndrimit. Për veturat kjo tarifë do të jetë 1 euro, ndërsa automjetet me më shumë se 8 vende do të paguajnë 2 euro. Këtë përcakton udhëzimi i fundit i Ministrisë së Financave. “Autoveturat e huaja përjashtohen nga pagesa e tarifës së qarkullimit 60 ditë në vit në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe do të paguajnë vetëm 1 euro në momentin e daljes, për çdo ditë qëndrimi mbi këtë periudhë do të paguhet tarifa e caktuar e qarkullimit”, thuhet në udhëzimin e ministrisë. Sipas tij, të gjitha automjetet e huaja ditën e hyrjes në vendin tonë do të pajisen me një vërtetim të posaçëm, ku vendoset data e kalimit të kufirit. Vërtetimi është i detyrueshëm të paraqitet nga pronarët e automjetit pranë degëve të daljes së doganës, me qëllim arkëtimin e tarifës përkatëse. “Për rastet kur automjeti me targë të huaj, me anë të një akti noterial, kalon në pronësi të personave të tjerë, të cilët do ta pajisin me targa shqiptare, pronari paraqet këtë akt pranë degës doganore në momentin e daljes, vërtetimin kur ka hyrë. Kjo në mënyrë që të llogaritet detyrimi që ka për të paguar”, përcakton Ministria e Financave. Në udhëzimin përkatës “për përcaktimin e tarifës së shërbimit për qarkullimin e automjeteve të huaja”, nënvizohet gjithashtu se Drejtoritë e Transportit Rrugor nuk do të pajisin me targa shqiptare automjetin në rast se nuk kanë paguar tarifën e qëndrimit.
Kush përjashtohet
Të përjashtuara nga taksa, sipas Ministrisë së Financave, janë të gjitha makinat që mbajnë targat e Kosovës, automjetet që sjellin ndihma humanitare, mjetet e përfaqësive diplomatike dhe shoqatave bamirëse. “Përjashtohen nga tarifa e qëndrimit mjetet që qarkullojnë me leje kalimi pa pagesë të taksave rrugore mbi bazën e reciprocitetit”, thuhet në udhëzim. Në të cilësohet gjithashtu se kategoritë që përjashtohen pajisen me një vërtetim të posaçëm në momentin e hyrjes në doganat tona. “Për rastet kur masa e tarifës përcaktohet mbi bazën e reciprocitetit, Ministria e Punëve Publike dërgon zyrtarisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave tarifat ose taksat që aplikohen në shtetet e tjera për automjetet me targat shqiptare”, thuhet në udhëzim. Tarifat duhet të jenë të publikuara edhe në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Sipas tij, të gjitha të ardhurat nga vjelja e kësaj takse do të derdhen në buxhetin e shtetit. Sa i përket vërtetimeve përkatëse që lëshohen prej degëve të doganave nga ku hyjnë makinat e huaja, ato duhet të mbahen patjetër në dy kopje, njërën prej të cilave e mban pronari i automjetit. Në udhëzim janë përcaktuar edhe formatet e formularëve përkatës që duhet të plotësohen. Mbi bazën e këtij modeli duhet që çdo degë doganore të pajiset me këtë lloj dokumenti. Me udhëzimin e ri, pronarët e makinave me targa të huaja që qarkullojnë në vendin tonë duhet të mendohen mirë përpara se t’i mbajnë ato për një periudhë të gjatë.
Tarifa e qëndrimit
Për autoveturat me më pak se 8 plus 1 vende përfshi edhe drejtuesin për
çdo ditë ose pjesë të ditës. 1 euro
Për autoveturat 8 plus 1 ndenjëse
përfshirë edhe drejtuesin 2 euro
Përjashtohen
Automjetet e regjistruara në Kosovë
Automjetet e huaja që sjellin ndihma
Mjetet e përfaqësive diplomatike
Automjetet e shoqatave bamirëse
Mjetet që qarkullojnë me leje-pagimi pa pagesë të taksave rrugore