Westin: Pse FMN duhet të vazhdojë të rrijë në Tiranë
Në të gjitha daljet publike, përfaqësuesit e FMN-së kanë treguar qartë se Shqipëria duhet të nënshkruajë një zgjatje të marrëveshjes me ta. Duket si një lutje, nganjëherë jashtë kornizave diplomatike, si shpresa e fundit për të shpëtuar nga rreziqet ekonominë shqiptare. Në një intervistë të fundit të dhënë për agjencinë AENews, përfaqësuesja në Tiranë e fondit, Ann-Margaret Westin, ka treguar pikat e dobëta të ekonomisë shqiptare, për të cilat FMN-ja do të jepte garanci besueshmërie. Problem ky që pas shpalljes zyrtare të krizës financiare botërore, do të bëhet përherë e më shumë serioz për vendin.
Si e vlerësoni ju bashkëpunimin 17-vjeçar mes Shqipërisë dhe FMN-së?
Pas më shumë se 16 vitesh programi të FMN-së dhe edhe më shumë vitesh tranzicioni, Shqipëria ka arritur stabilitet makroekonomik të ngulitur me vendosmëri. Rritja ka qenë e qëndrueshme dhe e lartë, me të ardhura për frymë më shumë se dyfishi i dekadës së kaluar dhe inflacioni ka qenë i përmbajtur, duke reflektuar politikë të kujdesshme fiskale dhe monetare. Kjo është një arritje për autoritetet shqiptare, qeverinë aktuale si dhe qeveritë e mëparshme, dhe ne jemi të kënaqur që kemi qenë partnerë në këtë tranzicion të suksesshëm.
Stabiliteti makroekonomik është arritur nën programin aktual, që ka qëlluar të përkojë me kohë qëndrimin tim këtu dhe me mandatin e qeverisë aktuale. Kufiri mesatar i borxhit publik ka vazhduar rënien, nga 58 për qind të GDP-së në 2005-ën në projektimin aktual të 52 për qind këtë vit; inflacioni ka qenë i përmbajtur nga 2-4 për qind të planit në Bankën e Shqipërisë, me gjithë shokimet nga jashtë të çmimeve të ushqimit dhe karburanteve.
Marrëdhënia mes autoriteteve shqiptare mbetet e shkëlqyer dhe ne kemi hapur një dialog produktiv. Edhe pse ka ndryshime në opinione, ne kemi arritur të biem dakord në politikat kryesore dhe të gjitha inspektimet e programit aktual janë përfunduar në kohë.
A mendoni ju se politika shqiptare ka arritur pjekurinë e duhur për të ruajtur stabilitetin makroekonomik ma ndihmën e monitorimit të FMN-së?
Ka arsye të ndryshme pse vendet mund të zgjedhin te kenë një marrëveshje me FMN. Ka hyrje në financimet e Fondit. Veç financimeve, disa vende kanë zgjedhur të kenë një program Fondi për të ruajtur dialogun e afërt politik dhe për t’i sinjalizuar pjesës tjetër të botës se politikat janë në vijë. Efekti i këtij sinjalizimi mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm për vëzhguesit ndërkombëtarë dhe investitorët kur statistikat zyrtare nuk kanë arritur ende në lartësinë e standardeve ndërkombëtare apo në një vit elektoral.
Nëse autoritetet shqiptare janë të interesuara, FMN do të ishte gati të diskutonte një marrëveshje të re. Ky program mund të fokusohej në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, por mund të përmbajë më pak kushtëzim mbi reformat strukturale dhe hyrjen e mundshme në financimin e FMN-së. Mund të marrë formën e një marrëveshjeje të rregullt apo parandaluese Stand-By (SBA).
Pavarësisht nëse Shqipëria ka një program me Fondin ose jo, politikat e kujdesshme makroekonomike do të nevojiten të ruhen për të vendosur fondacionin për uljen e varfërisë dhe për të arritur rritje të lartë ekonomie. Autoritetet shqiptare, si qeveria aktuale ashtu edhe paraardhëset e saj, kanë të dhëna të mira në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Megjithatë, me përfundimin e marrëveshjes me FMN-në, ata do të kenë nevojë për rregulla të tjera të tipit fiskal për të ankoruar politikat si, shpenzimet, deficitin, apo tavanin e borxhit. kjo e gjitha do të jetë shumë e rëndësishme ndërsa Shqipëria planifikon të hyjë në tregjet globale financiare.
Së fundmi, duhet theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të ketë akses në asistencën teknike dhe të ndërmarrë të përvitshmet Konsultime të Nenit IV pas përfundimit të programit, siç ndodh me të gjitha vendet anëtare të FMN-së. Konsultimi i Nenit IV është në qendër të aktiviteteve tona vëzhguese, ku ne sigurojmë një llogaritje të zhvillimeve ekonomike e financiare, dhe këshillojmë mbi rreziqet e stabilitetit e rritjes dhe nëse sigurohen përmirësimet politike.
Ka një teori që thotë se FMN-ja largohet nga një vend në përgjithësi para një krize. A ekziston një rrezik real për Shqipërinë në tre vitet e ardhshme?
Absolutisht jo. Marrëveshja aktuale trevjeçare me Shqipërinë dhe FMN-në, e cila mbështetet nga kombinimi i programeve të Lehtësimit të Rritjes dhe Uljes së Varfërisë (PRGF) dhe Lehtësimit të Zgjerimit të Fondeve (EFF), është aprovuar në janar 2006 dhe pritet të përfundojë sipas axhendës në janar 2009, nën supozimin se shqyrtimi i saj i gjashtë dhe përfundimtar do të përmbushet në kohë. Marrëveshja aktuale është programi i gjashtë që Shqipëria ka pasur me FMN-në. Që në zanafillën e saj pritej që kjo do të ishte marrëveshja e fundit PRGF e Shqipërisë, një lehtësim i formuluar nga FMN-ja për vendet me të ardhura të ulëta.