E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 1.5 kg heroinë në Tropojë, tre në pranga në Durrës për hashash



Në dy operacione të kryera në Tropojë dhe Durrës janë konfiskuar 1.5 kilogramë heroinë dhe një sasi e vogël hashashi, e gatshme për konsumim. Në dy operacionet e realizuara janë ndaluar katër persona. Burimet policore bëjnë të ditur se dje paradite, në aksin Fierzë-Bajram Curri është ndaluar një shtetas, pasi në mjetin e tij iu gjet një sasi prej 1.5 kg heroinë. Burimet bëjnë të ditur se trafikanti është një shtetas nga Tirana, por nuk kanë dhënë detaje të tjera për arsye hetimi. Policia dyshon për një rrjet të trafikimit nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Po dje, tre të rinj nga Durrësi u arrestuan nga policia, pasi dyshohen si shpërndarës të lëndëve narkotike në qytetin bregdetar. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se tre të ndaluarve iu gjet një sasi e përgjithshme prej 7 gr. kanabis sativa dhe 9.2 gr. lëndë e dyshuar si heroinë. Sipas të njëjtit burim, 25-vjeçari B. Plaku u kap me 2,8 gr kanabis sativa dhe 3,4 gr lëndë e dyshuar si heroinë, 24-vjeçari B. Karaj me 2,6 gr kanabis sativa dhe 5,8 gr lëndë e dyshuar si heroinë, ndërsa 22-vjeçari B. Garo u kap me 1,6 gr kanabis. Tre të rinjtë u ndaluan nga shërbimet e policisë në Lagjen nr. 17 të qytetit të Durrësit, gjatë kohës që udhëtonin me automjetin taksi me targa DR 420 A në drejtim të qendrës së këtij qyteti.

Arrestohet roja për vjedhje karburanti

FIER - Një punonjës i Policisë së Ruajtjes së Objekteve në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh është ndaluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi është kapur në flagrancë duke grabitur naftë, në objektin që i ishte besuar të ruante. Burime të policisë së Ballshit thanë se punonjësi i policisë ka qenë me shërbim gjatë kohës që u kap duke grabitur karburant. 42-vjeçari Vilson Prifti nga fshati Frashër i rrethit të Fierit, është ndaluar rreth orës 01:00 të ditës premte dhe akuzohet për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën“. Sipas të njëjtit burim mësohet se gjatë kohës që ka qenë duke kryer shërbimin e ruajtjes së KPTHN, është kapur duke vjedhur naftë në tubacionet e qarkullimit të naftës brenda ambienteve të kombinatit. Në cilësinë e provës materiale i janë sekuestruar 33 bidonë tridhjetë litërsh, 14 prej të cilëve në kohën e ndalimit ishin të mbushur.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›