Depresioni, hidhet nga kati i 5-të nëna e tre fëmijëve
BERAT – Në kushtet e një gjendjeje depresive të rëndë, një grua e divorcuar, nënë e tre fëmijëve, është hedhur nga kati i 5-të i një pallati dhe për pasojë ka marrë plagë të shumta në trup. Burimet zyrtare të policisë së Beratit bëjnë të ditur se të premten në mesditë, Leonora Mançe ka tentuar të vetëvaret duke u hedhur nga ballkoni i shtëpisë së saj, që ndodhet në lagjen "Kushtrim" të qytetit të Beratit. Sipas këtyre burimeve 43-vjeçarja ishte divorcuar para disa vitesh nga bashkëshorti, me të cilin kishte lindur 2 vajza e një djalë. Nga të dhënat në grupin hetimor, duket se ky divorc ka shkaktuar probleme psikologjike tek Leonora. Fqinjët e Leonorës pohojnë se familjarët e saj e kanë çuar shumë herë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës për ta kuruar. Por mesditën e djeshme, Leonora Mançe është ngjitur në kangjellat e ballkonit të shtëpisë së saj dhe më pas është hedhur poshtë. Fqinjët kanë dhënë ndihmën e parë duke e dërguar në spital. Sipas mjekëve, Mançe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ka pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në pjesë të ndryshme të kokës.
E. P.
Aksidenti, plagoset rëndë punëtori i gurores
URA VAJGURORE – Sërish aksident në punë, ku kësaj radhe ka mbetur i plagosur një punonjës 27-vjeçar në Guroren e Urës Vajgurore në qarkun e Beratit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është lënduar rëndë shtetasi Edmond Çaçi, 27 vjeç, banues në lagjen "Guri i bardhë" në Urën-Vajgurore teksa po punonte si transportues i gurëve për grirje. Ngjarja e rëndë aksidentale ndodhi rreth orës 17:00 të pasdites së enjte, kur Çaçi ishte duke punuar në një lartësi mbi 2 metra, prej nga ku është rrëzuar, duke rënë mbi rripin që transportonte gurë. Rripi i transportimit i ka kapur punëtorit krahun e djathtë. I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin e Beratit dhe pas ndihmës së parë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët pohojnë se nëse nuk do të përmirësohet gjendja e 27-vjeçarit, do ta dërgojnë për ndihmë të specializuar në Tiranë. Asllan Çaçi, babai i të plagosurit, shprehet se ky është rasti i dytë që Edmondi aksidentohet në punë. Ai kishte 5 vjet që punonte në një nga guroret e Urës-Vajgurore, me pronar Besnik Bushin.
29 Mars 2008