Kapen 15 pistoleta, pranga trafikantëve
Dashamir Biçaku
Pesë persona u arrestuan mbrëmjen e të shtunës nga Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në operacionin e koduar “Alberta”. Oficerët e luftës kundër krimit të organizuar bllokuan 15 pistoleta miniblou të markës “Zastava” dhe 120 fishekë ndërsa arrestuan pesë personat, që po i trafikonin ato. Mustafa Gashi, 46 vjeç, nga Fushë-Kruja, Edmond Kajo, 40 vjeç, nga Berati, Marjus Buda, 26 vjeç, nga Fieri banues në Tiranë, si dhe Florenc Mezini, 31 vjeç nga Berati dhe Nertil Fejzullahu, 25 vjeç, u ndaluan nga zyra e Antitrafikut të Policisë së Shtetit, në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë. Të arrestuarit ndodheshin në dy makina dhe po lëviznin me qëllim shkëmbimin e pistoletave me pagesën financiare që do të dorëzonin porositësit e tyre. Agjentët e policisë kanë gjetur armët dhe municionet gjatë kontrollit në dy makinat e të arrestuarve. Sipas hetimeve, destinacioni i shitjes së armëve dyshohet se ka qenë Fieri, Berati dhe Tirana. Të arrestuarit kishin gjetur edhe tregun e shitjes së armëve, që në fakt nuk ishte askush tjetër veç se një njeri i infiltruar i njerëzve të Policisë së Shtetit. Origjina e pistoletave sipas burimeve të policisë mendohet të jetë Kosova, pasi Mustafa Gashi, një nga personat e arrestuar nga policia, është me origjinë nga Kosova dhe një pjesë të të afërmve dhe kushërinjve të tij banojnë atje. Mbrëmjen e djeshme policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona pranë Kukësit, anëtarë të grupit që dërgoi për në Shqipëri ngarkesën me armët e bllokuara në Fushë-Krujë. Njërit prej kosovarëve iu gjetën shuma parash, të cilat dyshohet se janë fitimet nga shitja e pistoletave në afërsi të Fushë-Krujës. Porosia mendohet se është bërë rreth një javë më parë, dhe që nga ajo kohë, efektivët e policisë kanë vënë në përgjim telefonat e personave të arrestuar. Ndërsa pesë të dyshuarit bisedonin mes tyre për gjetjen e pistoletave dhe për personin që do i blinte ato, bisedat e tyre regjistroheshin nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas burimeve të policisë, armët janë kaluar në kufirin e Shqipërisë dhe Kosovës në fund të javës së kaluar dhe mbrëmjen e të shtunës pritej që ato të mbërrinin tek blerësi. Në këtë kohë, dy makinat e të akuzuarve për trafik armësh kanë qenë duke udhëtuar në rrugën kombëtare Laç-Fushë-Krujë, kur një patrullë e policisë u ka kërkuar të ndalojnë. Fillimisht atyre iu janë kërkuar dokumentet e mjeteve ndërsa më pas ka nisur kontrolli fizik në makina. Në këtë moment të arrestuarit janë shfaqur të nervozuar ndërsa policia vazhdoi veprimet e saj. Armët janë gjetur të fshehura në tapicerinë e dyerve dhe në bagazhet e dy automjeteve. Fillimisht janë gjetur dy pistoleta dhe më pas pjesa tjetër e tyre si dhe fishekët, plot 120 copë. Policia u ka vënë prangat pesë personave, të cilëve u është komunikuar akuza e trafikut ndërkombëtar të armëve dhe municioneve luftarake. Ata janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë izoluar në qeli të veçanta dhe janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Asnjë prej të arrestuarve nuk ka pranuar të flasë apo të japë sqarime në lidhje me armët e bllokuara.
Operacioni
Kapur në Shqipëri
Mustafa Gashi
Edmond Kajo
Marjus Buda
Florenc Mezini
Nertil Fejzullau
Kapur në Kosovë
Abdurrahman Mavriqi
Avni Berisha
Ibrahim Gashi
Rafet Llapashtica
Adem Berisha
Ibush Ethemi