Pengmarrja e shqiptarëve në Milano,Prokuroria: Duam sms-të kërcënuese
TIRANE – Prokuroria e Tiranës dërgon në Itali me letërporosi kërkesën për transferimin e provave penale që fajësojnë tre emigrantë shqiptarë të akuzuar për pengmarrjen e dy bashkëkombësve të tyre në Milano, në muajin shkurt të këtij viti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave, subjekt i letërporosisë së dërguar në Itali, janë të dyshuarit: Ervin Bendo, Roland Bendo dhe Erion Lamaj. Ata akuzohen se kanë marrë dhe kanë mbajtur peng për rreth dy javë në Milano, dy emigrantë shqiptarë. Gjatë kohës që mbanin peng dy të dëmtuarit, autorët e rrëmbimit u telefononin të afërmve të pengjeve në Shqipëri dhe kërkonin shumën 120 mijë euro ose pronësinë e një trualli 1200 metër katrorë në Durrës, ose përndryshe do t’i vrisnin. Kjo situatë kërcënimesh ka vazhduar për rreth dy javë derisa policia shqiptare dhe ajo italiane janë vënë në lëvizje dhe kanë bërë të mundur lirimin e pengjeve më 2 shkurt 2008. Pak kohë më pas në qytetin e Fierit, në një aksion të zhvilluar në sekret të plotë, u arrestua njëri nga tre pengmarrësit e shqiptarëve në Milano. Roland Bendo ishte kthyer në Shqipëri dhe në bazë të informacioneve të mbledhura nga policia shqiptare dhe ajo italiane, ai ka rënë në pranga pa shumë vështirësi në qytetin e Fierit. Megjithatë mbi bazën e një denoncimi të bërë nga të afërmit e dy të rrëmbyerve policia dhe Prokuroria shqiptare kishin filluar hetimet për këtë rast. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit thonë se, janë informuar nga policia shqiptare dhe ajo italiane, se homologët e vendit fqinj zotërojnë telefonatat dhe mesazhet e përgjuara që Ervin Bendo, Roland Bendo dhe Erion Lamaj, autorë të rrëmbimit të dy emigrantëve në Milano, u dërgonin të afërmve të dy pengjeve në Shqipëri duke u kërkuar shuma të mëdha parash si dhe pronësinë e një trualli prej 1200 metër katrorë në Durrës. Pas këtyre informacioneve, Prokuroria e Tiranës ka hartuar një letërporosi për autoritetet italiane, në të cilën kërkohet ekstradimi i dy të akuzuarve për pengmarrje Erion Lamaj dhe Ervin Bendo, si dhe transferimi i provave penale kundër tyre. Bëhet fjalë për mesazhet dhe telefonatat që ata kanë shkëmbyer me të afërmit e pengjeve në Shqipëri, të cilët i kërcënonin se nëse nuk do të dorëzonin 120 mijë euro dhe truallin në Durrës, jeta e dy emigrantëve të rrëmbyer në Milano do të ishte në rrezik. Prokuroria e Tiranës tha se është në pritje të përgjigjes së autoriteteve italiane për të dërguar në gjykatë këtë dosje penale, që lidhet me ngjarjen që bëri bujë për disa ditë në muajin shkurt 2008 në Itali. tr.so