E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vret prindërit, i hedh trupat në pusetë

 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

Masakron me sopatë dhe fsheh trupat e prindërve në pusetë. Një krim makabër ka tronditur vendin paraditen e djeshme, kur policia e Laçit zbuloi 3 ditë pas zhdukjes, burrë e grua të pajetë. Në mbrëmje u arrestua i dyshuari i vetëm për vrasjen e Ali Halilit, 62 vjeç dhe Gjyze Halilit, 57 vjeç, pikërisht djali i tyre 30-vjeçar, Shkëlzeni, ish-emigrant në Angli. Ai u mor në pyetje në komisariat për zhdukjen e prindërve, por me gjakftohtësi ka thënë se ata mund të ishin larguar nëpër miq. Me të njëjtën qetësi, i riu që kishte shfaqur shpesh shenja depresioni, ka qëndruar dhe dje, kur shefi i krimeve Martin Dona, një polic i grupit të gatshëm dhe kryeplaku i Fushë-Milotit, të palodhur në kërkime, gjetën trupat e pajetë në kanalin shkarkues të ujërave të zeza. Të dy viktimat kishin goditje pas koke, të shkaktuara nga një sopatë. 
Zhdukja e çiftit
Muharrem Halili, vëllai i viktimës ka qenë i pari që ka këmbëngulur për të zbuluar fatin e të vëllait dhe gruas së tij. Ai tregoi dje se 3 fëmijët e çiftit që ndodheshin në Itali nuk kishin folur dot me prindërit, pasi telefonat u dilnin të fikur.
“I fundit që ka biseduar me Aliun ishte dhëndri i tij nga Italia në orën 10:20 të datës 18 shtator. Vajza kishte marrë Gjyzen në telefon dhe ishte i fikur dhe dhëndri i telefonoi Aliut. Ai i kishte thënë se sapo kishte zbritur nga furgoni dhe po hynte në portën e avllisë në shtëpi, ku e priste gruaja dhe djali i vogël, Shkëlzeni”, tregon Muharremi. Pas një ore ka telefonuar vajza tjetër, por dy telefonat e prindërve ishin të mbyllur. “Më morën mua se u bënë merak e më thanë të shkoja në shtëpi e të shikoja për Aliun e Gjuzen. Kur hyra në shtëpi gjeta Shkëlzenin, i cili ishte ulur në një karrige dhe po hante bukë, i qetë dhe nuk dallohej se kishte ndonjë shqetësim. E pyeta për Aliun dhe Gjyzen dhe ai më tha se kishin dalë së bashku dhe nuk e dinte ku. Kur e pyeta mos dinte gjë ai ma preu keq, pse pyesja kaq shumë. ‘Kur nuk bëhem merak unë, që i kam prindër pse bëhesh merak ti’, më tha. Kur nuk i gjeta as tek të afërmit tanë lajmërova policinë”. Siç tregon Muharremi, policia pas insistimit të tyre ka shoqëruar Shkëlzenin, por ai nuk ka treguar gjë. “Ne nuk lamë vend pa kontrolluar, shtëpi, dhoma, tavane e bahçe. Kërkuam dhe në lumin Mat, që nga Skurajt e deri tek grykëderdhja e lumit, por nuk gjetëm gjë. Pas marrjes në polici të Shkëlzenit ne sërish prisnim një përgjigje, ai na erdhi në shtëpi duke na akuzuar se ishim ne që e çuam në polici. ‘Donin të më implikonin mua, po jam më i shkathët se ata”, i është shprehur ai xhaxhait.
Ndërsa kërkimet e policisë i ishin afruar vendit ku ndodheshin kufomat, vëllai i viktimës ka shkuar mëngjesin e djeshëm sërish në shtëpinë e Aliut. Aty ka gjetur nipin, Shkëlzenin, i cili po pinte kafe dhe dukej mjaft i qetë. “E pyeta, por kur nuk ma ktheu përgjigjen tentova të kontrolloj në bahçe. Më ndaloi që të shkoja. Ndërsa po kërkoja, më telefonuan familjarët e më thanë se vëllai me gruan ishin gjetur në pusetën e ujërave të zeza. Aty kishim kontrolluar, por kapaku ishte i ngushtë dhe dukej i paprekur”.
Trupat në pusetë
Por, ndonëse familjarët nuk e kanë menduar kurrë se ku mund të ndodheshin Aliu e Gjyzja, puna e policit të grupit të gatshëm Artan Buzi bashkë me kryeplakun e fshatit ka çuar në zbardhjen  e krimit makabër. Kur janë afruar te gryka e pusetës së ujërave të zeza, Buzi ka këmbëngulur që të hiqej kapaku dhe pse ishte i mbuluar me shkurre dhe ishte i puthitur mirë. Dhe pse nuk kishte asgjë të dyshimtë, polici kërkoi që të kontrollonin me ndonjë tel. Brenda pusetës, teli ka prekur në një objekt të dyshimtë. Shumë shpejt është zbuluar se brenda ndodheshin dy trupa njerëzish. Janë dashur më shumë se 4 orë punë intensive që të nxirreshin nga puseta. Një vinç është dashur për të hequr kapakun e pusit, ndërsa reparti zjarrfikës i Laçit ka larguar ujërat e zeza. Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të policisë së Lezhës e Tirana bashkë me ekspertë. Ata kanë dalluar lehtë goditjen e njëjtë pas koke të dy viktimave, e cila ka qenë vdekjeprurëse. Trupat janë dërguar në morgun e Tiranës, ndërsa në polici përfundoi i vetmi i dyshuari, Shkëlzen Halili. Gjatë gjithë kohës ai ka mohuar çdo akuzë mbi krimin, por në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka pranuar për herë të parë autorësinë e krimit.

Krimi, ditën e zhdukjes

Policia e Lezhës, pas hetimeve të kryera dyshon se krimi është kryer ditën e zhdukjes së Ali e Gjyze Halilit. Djali i tyre, i dyshuar si vrasës, 30-vjeçari Shkëlzeni, mendohet se pas një grindjeje të zakonshme ka qëlluar me sëpatë nënë e babë, njëri pas tjetrit. Vrasja e dyfishtë ka ndodhur brenda ambienteve të shtëpisë e më pas ai i ka hedhur brenda kanalit të ujërave të zeza, pas shtëpisë përdhese. Policia nuk ka gjetur asnjë njollë gjaku të dukshme brenda shtëpisë e as përreth pusit. Gjithçka ka qenë e pastër, ndërsa mendohet se vetë 30-vjeçari ka shpëlarë me ujë të rrjedhshëm zonën e mbuluar nga gjaku. Në orët e pasdites, pranë shtratit të Shkëlzen Halilit është gjetur sëpata, e cila mendohet të jetë arma e krimit. Gjatë gjithë ditës së djeshme, ndonëse shfaqet shenja çekuilibrimi, djali i viktimave nuk e ka pranuar krimin në asnjë moment. Por, në një moment ai sipas policisë ka pranuar se ka kryer vrasjen e dyfishtë.

Shkëlzen Halili, me depresion

Burime të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se Shkëlzen Halili është 30 vjeç dhe ka të paktën tre vite, që është kthyer nga emigrimi në Angli. Madje atje, sipas policisë ai kishte kryer edhe një vit e gjysmë burg, si emigrant i paligjshëm për t’u kthyer në Shqipëri. Familjarë të tij pohojnë se që nga momenti kur Shkëlzeni ishte kthyer nga Anglia kishte shfaqur edhe probleme nervore, pasi nuk fliste dhe madje kishte filluar të bëhej agresiv. E ëma kishte tentuar ta bindte për t’u kuruar në spital, por nuk kishte mundur. Javët e fundit, i vëllai i kishte sjellë nga Italia një makinë, të cilën Shkëlzeni e kishte përplasur në një mur, duke u bërë akoma më nervoz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›