E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 150 kg kanabis, prangosen dy kushërinjtë

Policia kufitare e Hanit të Hotit ka bllokuar në orët e para të mëngjesit së djeshëm, 150 kg kanabis sativa. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ka qenë ora 00.30 min, kur në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Hotit, në hapësirat ujore mes Malit të Zi dhe Shqipërisë është ndaluar një varkë, që drejtohej nga dy kushërinjtë Florin Ramaj dhe Kristian Ramaj, përkatësisht 21 dhe 18 vjeç, banues në fshatin Gozhaj të Komunës Kastrat të Malësisë së Madhe. Pas kontrollit rutinë ka rezultuar se në mjetin lundrues, ishte fshehur sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike, që kishte për destinacion Malin e Zi. Ndërkohë, mësohet se kushërinjtë Ramaj janë arrestuar dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal. Sipas policisë mësohet se në cilësinë e provës materiale, uniformat blu përveç varkës, e cila përdorej si mjet transporti dhe lëndës narkotike, është sekuestruar dhe autovetura që dy të rinjtë përdornin për transportin e lëndës narkotike. Mjeti është gjetur në buzë të liqenit. Me prangosjen e dy të rinjve është mësuar dhe itinerari që ata ndiqnin për të çuar drogën për në destinacion. Ndërkohë, mësohet se zbulimi i trafikantëve është bërë gjatë një kontrolli rutinë të policisë kufitare të vijës bregdetare dhe po hetohet për përfshirjen e personave të tjerë në trafik. Ky është aksioni i dytë brenda pak ditësh, i bllokimit të lëndëve narkotike në vijën bregdetare shqiptare. Pak ditë më parë, mesnatën e së premtes, policia kufitare e Sarandës ka mundur të bllokojë një skaf në të cilin ishin fshehur 300 kg kanabis sativa, që vinte nga Lazarati dhe kishte për destinacion ishullin grek të Korfuzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›