Dhoma e Tregtisë: "Mbrojtja e konsumatorit", bizneset njihen me ligjin
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, zhvilluan dje një takim informues në kuadër të zbatimit të ligjit për "Mbrojtjen e konsumatorëve". Ky ligj synon të kthejë në praktikë disa detyrime-standarde, të lakuara edhe më parë, si çmimi, etiketa (në shqip) dhe fatura. Problemi mbetet te fakti se bizneset nuk po njihen ende me ligjin, i cili konsiderohet nga METE shumë i rëndësishëm në drejtim të zbatimit të MSA-së. Në prani të një auditori me biznesmenë dhe ekspertë tregtie, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjokë Uldedaj, vlerësoi rëndësinë e zbatimit të këtij ligji për operatorët që veprojnë në treg dhe që priren të besojnë në konkurrencën e ndershme. Drejtoresha e Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, Anila Jani, shpjegoi për të pranishmit disa nga momentet kryesore të këtij ligji. Sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër përparësitë e qeverisë shqiptare. Konsumatori i sotëm nuk është më një konsumator "në uri" për çdolloj produkti. Për t‘iu përgjigjur në mënyrë cilësore kërkesave në rritje të konsumatorëve, bizneset prodhuese vendase dhe entet tregtare, duhet të praktikojnë standarde bashkëkohore. METE, edhe në vijim do të vazhdojë sensibilizimin e biznesit dhe të vetë publikut për dimensionet integruese të ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.