E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Orgji" kokaine në qendër të Tiranës

"Orgji" kokaine, heroine, ekstazie dhe hashashi në mes të Tiranës. Mbi 20 të rinj janë mbledhur në një vilë pranë qendrës së kryeqytetit, ku janë gjetur duke konsumuar lëndë narkotike dhe alkool në mënyrë kolektive. Policia ka arrestuar katër prej tyre, pasi dyshohen se ishin organizatorët e këtij aktiviteti dhe shoqëruar 20 të tjerë. Të shoqëruarit, femra dhe meshkuj i përkasin moshës së re 17-24 vjeç.
Zbulimi
Zbulimi i këtij grupi, i cili po festonte në një vilë private pranë sheshit "Avni Rustemi" është bërë mesnatën e djeshme nga uniformat blu, të cilëve u është dashur kohë deri në mëngjes për të bërë shoqërimin e tyre. Informacioni i parë ka mbërritur në polici nga banorët e zonës, të cilët kanë dëgjuar zhurma të shumta dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë për të risjellë qetësinë në orët e vona të mbrëmjes. Një patrullë policie ka shkuar në vendngjarje, por ka vënë re se në një vilë private po organizohej një festë. Duke parë numrin e madh të personave, që hynin dhe dilnin në shtëpi, është kërkuar ndihma e punonjësve të tjerë të policisë dhe nga dyshimet është rrethuar e gjithë banesa. Pak pas mesnate, uniformat blu kanë ndërhyrë, pasi kishin mbledhur edhe informacion se brenda po konsumohej edhe drogë. Kur policia ka hyrë në ambientet e "festës", ka vënë re se veç meshkujve, në banesë kishte edhe shumë femra. Ata janë shtangur përballë policisë, edhe pse kishin kaluar masën e alkoolit të konsumuar dhe gjithë banesa kundërmonte aromë droge. Disa prej të pranishmëve kanë tentuar të largohen, por nuk janë lejuar nga uniformat blu. Disa të tjerë kanë tentuar të fshehin lëndën narkotike, por shumë shpejt janë zbuluar. Përballë situatës së krijuar, mes shisheve të uiskit, policia ka ndërmarrë një kontroll të imtë ndaj të gjithë personave. Shumë shpejt në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertët e antidrogës. Ata kanë kontrolluar disa ambiente dhe fillimisht mundësuan gjetjen e një sasie kokaine. Por, në vijim është zbuluar edhe një sasi hashashi, ndërsa nëpër dysheme janë zbuluar disa tableta, në të cilat mendohet se ka pasur ekstazi. Shumë prej të rinjve brenda banesës u ishin skuqur sytë dhe kishin shenja të tjera të përdorimit të drogës. Pas vlerësimit të situatës, policia ka vendosur shoqërimin e të gjithëve në polici dhe regjistrimin e deklaratave të tyre. Një rast i tillë ka shtangur jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe familjarët e gjithë të shoqëruarve, ku pjesa dërmuese e tyre, u përkisnin familjeve me nivel ekonomik.
Policia
Pas kryerjes së gjithë veprimeve të duhura hetimore, policia tha se gjatë operacionit, i cili u kodua me emrin "Mesnata", u arrestuan katër persona, ndërsa 20 të tjerë u lanë të lirë, pasi ishin thjesht përdorues. Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se u prangosën Ivi Bego, 36 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, Gledi Mikerezi, 26 vjeç, Denis Lekbello, 22 vjeç dhe Ardian Tati, 38 vjeç. "Arrestimi i tyre u krye pasi nga informacionet e marra në rrugë operative për Ivi Begon, dyshohet se merrej me shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, pranë sheshit "Avni Rustemi" në Tiranë. Pas një kontrolli të ushtruar në një vilë në pronësi të tij, u gjetën 7 doza kokainë me peshë 6.4 gramë dhe 47.6 gramë kanabis, prej të cilave sasia 4.8 gramë iu gjet Denis Lekbellos", detajoi grupi hetimor i antidrogës. Veç tyre u kap në flagrancë edhe Gledi Mikerezi, ku nga kontrolli fizik i ushtruar, iu gjetën dhe iu sekuestruan 7.4 gramë kanabis. "Pas një kontrolli të ushtruar në vilën e Begos, u gjetën dhe u shoqëruan 20 persona, përdorues të lëndëve narkotike, ambiente të cilat ishin të përshtatura për konsumim narkotikësh. Ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e Ardian Tatit, u gjet e sekuestrua sasia prej 76.4 gramë kanabis", vijoi më tej policia. Në total, policia sekuestroi 136.2 gramë kanabis, 6.4 gramë kokainë, një peshore elektronike, një automjet tip "Opel Corsa", me targa DR 1873 E dhe shuma e parave prej 16 mijë lekë. Aktualisht është konfiskuar edhe banesa e Begos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›