PS-ja reagon ndaj deklaratës së Metës
PS-ja ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili gjatë festës së 5 Majit akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se kishte hedhur baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, duke e quajtur atë luftë civile. Sekretarja për Shanse të Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, tha: “Shkelja e ritualit të 5 Majit për arsye krejt personale, që lidhen me lojën e vjetër politike që ka rifilluar z. Meta, pa dashur t’ia dijë as për hallet e as për aspiratat e shqiptarëve të keqqeverisur dhe madje, as për solemnitetin e një përvjetori përkujtimor, kjo na vë në pozitë të vështirë. Duke kërkuar mirëkuptimin e çdo familjari, çdo veterani e qytetari të fyer nga kjo sjellje, që nuk mundëson asgjë të mirë, të rejave dhe të rinjve të këtij vendi, të cilët kanë nevojë për një politikë idealesh, vlerash e idesh, ne i rishprehim keqardhjen për mllefin që ka errur sytë, që ka helmuar gjuhën e aleatit tonë, Ilir Meta”.
7 Maj 2008