E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien kërkesat e ushtarakëve për në Afganistan dhe Bosnjë

Shkak është bërë ulja e normës në më pak se 60 dollarë dita. Familjarët e atasheve prej 4 muajsh nuk marrin përfitimet që kanë pasur

Laureta Rryçi

Tiranë – Dikur kishte lum kërkesash për të shkuar në misione paqeruajtëse, por tanimë ato kanë rënë, pasi paguhen më pak se dikur pas një vendimi të Këshillit të Ministrave të muajit janar 2008. Megjithatë, pas konstatimit të bërë Ministria e Mbrojtjes pritet t’i propozojë qeverisë rritjen e normës ditore financiare për paqeruajtësit shqiptarë që ndodhen në Afganistan dhe Bosnjë. Burime pranë kësaj ministrie pohuan dje për gazetën “Albania” se specialistët e këtij dikasteri duke parë situatën e krijuar kohët e fundit kanë vendosur të propozojnë rritjen e kësaj norme financiare. Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, paqeruajtësit në Afganistan kanë si normë 60 dollarë në ditë, plus rrogën mujore që e marrin familjarët që ndodhen në Shqipëri. Ndërkohë, paqeruajtësit në Bosnjë e kanë normën edhe më të vogël. Të gjithë ushtarakët që janë pjesë e atasheve ushtarakë, pas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave kanë pasur një rritje të pagesës mujore, por ndërkohë u është hequr paga që merrnin si ndihmë familjarët e tyre që ndodhen në Shqipëri.
Propozimi
Rritja e normës financiare për paqeruajtësit që do të dërgohen në Afganistan dhe Bosnjë do të jetë zgjidhje për të rikthyer sërish numrin e madh të kërkesave që kishin dikur ushtarakët. Me një përllogaritje të thjeshtë, paqeruajtësit që marrin përsipër të angazhohen në këto misione për rreth 6 muaj mision u takon të marrin rreth 6 mijë dollarë. Këshilli i ministrave vendosi të ulë normën financiare për këto dy misione për shkak se u ul dhe niveli i sigurisë në shtetet përkatëse. Në misionet fillestare, paqeruajtësit në Afganistan merrnin si normë ditore 100 dollarë. Pas gjithë këtyre ndryshimeve, paqeruajtësit duket se do të përballen sërish me ndryshime në pagesë, veçse kësaj herë do të jetë pozitivisht.
Atashetë ushtarakë
Pa iu gëzuar mirë rritjes së pagës, ushtarakët që janë pjesë e atasheve ushtarakë kanë mësuar se qeveria u ka hequr pagesën për të ndihmuar familjen që kanë lënë në vendlindje. Si atashe ushtarakë janë një numër i konsiderueshëm ushtarakësh. Para këtij vendimi mësohet se ata kishin si pagë mujore rreth 800 euro, mirëpo me këto ndryshime paga u ka kaluar 1350 euro, duke hequr dorë nga pagesa mujore në vend.

Misioni i parë në Afganistan

Angazhimi i Forcës së Bashkuar në misionin “ISAF” të drejtuar nga NATO-ja filloi në muajin gusht të vitit 2002, me dërgimin e Kontingjentit të Parë Paqeruajtës, bazuar në Ligjin Nr. 8932 datë, 25.07.2002 “Për dërgimin e një force ushtarake shqiptare në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit”. Kontingjentet, nga i pari deri tek i katërti, kanë qenë efektivë të Batalionit të Operacioneve Speciale, Kontingjenti i Pestë e në vijim nga repartet e Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Kontingjentet ndërrohen me sistem rrotacioni 6-mujor. Aktualisht në Kabul vepron Kontingjenti i 12-të Paqeruajtës. Kontributi i Forcës së Bashkuar në misionin “ISAF” nga Kontingjenti i Parë deri te Kontingjenti i Njëmbëdhjetë është 1299 ushtarakë shqiptarë. Kontingjentet shqiptare në këtë mision veprojnë nën autoritetin e komandimit të komandës turke.
Misioni i kontingjentit është kryerja e operacioneve stabilizuese dhe siguruese në zonën e vet të përgjegjësisë. Detyrat kryesore të kontingjentit janë: patrullimi, shoqërimi i autokolonave, ruajtja e objekteve të rëndësishme, shoqërimi i personaliteteve, kontroll në pika të ndryshme, kërkime në banesa sipas situatave që krijohen.

Struktura në mision
Gjatë misionit në Afganistan kontingjenti paqeruajtës shqiptar ka kryer detyra në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë (ISAF). Kontingjenti ynë është në varësi të drejtpërdrejtë të kontingjentit turk, i cili është pjesë përbërëse e brigadës multinacionale. Kontingjenti shqiptar në misionin e parë është përfaqësuar me 30 trupa të ndara në tri skuadra me nga nëntë nënoficerë specialë secila, një shofer, një zv/komandant dhe një komandant misioni. Me ndryshimin e strukturës së kontingjenteve të forcave të tjera ndryshoi dhe përbërja e kontingjentit tonë duke u reduktuar në 23 veta.

Detyrat e Kontingjentit shqiptar në Afganistan:

Patrullim për sigurimin e rendit

Ruajtja dhe shoqërimi i personaliteteve

Sigurimi dhe ruajtja e konvojëve

Ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë

Organizimi i pikave të kontrollit

Kontroll banesash

Atashetë ushtarakë
Shqipëria përfaqësohet me atashe ushtarakë në vendet e mëposhtme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Republikën Popullore të Kinës, Itali, Greqi, Turqi si edhe me dy përfaqësues pranë NATO-s dhe një koordinator në PCC. Është arritur marrëveshja që gjatë vitit në vazhdim të fillojnë aktivitetin e tyre atasheu ushtarak i vendit tonë në Mbretërinë e Bashkuar, Përfaqësuesi në Komandën e Bashkuar Jugore të NATO-s (AFSOUTH) në Napoli, Itali, Përfaqësuesi Ushtarak pranë OSBE-së, Përfaqësues Ushtarak në Komandën e Bashkuar Juglindore të NATO-s (JCSE), në Izmir, Turqi.
Nga ana tjetër, në vendin tonë janë të atashuar atashe ushtarakë nga këto shtete: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bullgaria, Republika Popullore e Kinës, Rumania, Franca, Italia, Greqia, Gjermania, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Maqedonia. Gjithashtu shtetet e poshtëshënuara kanë të akredituar atashe ushtarakë në vendin tonë, por që nuk janë rezidentë në Shqipëri: Austria (rezident në Slloveni), Kanadaja (rezident në Itali), Hungaria (rezident në Shqipëri), Izraeli (rezident në Itali), Holanda (rezident në Greqi), Pakistani (rezident në Turqi), Zvicra (rezident në Hungari) dhe Maqedonia (rezident në Shqipëri).

Misioni në Bosnjë
Angazhimi i Forcës së Bashkuar në misionin “SFOR” të drejtuar nga NATO, ka filluar më 09.09.1996 me dërgimin e Kontingjentit të Parë Paqeruajtës, bazuar në Ligjin Nr. 8139, datë 05.09.1996 “Për dërgimin e kompanisë paqeruajtëse shqiptare për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s ‘Përpjekja e përbashkët’ në Ish-Jugosllavi”.
Në kuadër të misionit “SFOR” kanë kontribuar pesëmbëdhjetë kontingjente. Kontingjenti i Parë deri te Kontingjenti i Shtatë kanë qenë të Brigadës së Këmbësorisë, Shijak; Kontingjenti i Tetë deri te Kontingjenti i Trembëdhjetë të Regjimentit Komando dhe Kontingjenti i Katërmbëdhjetë e Kontingjenti i Pesëmbëdhjetë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Angazhimi i Forcës së Bashkuar në misionin “ALTHEA”, të drejtuar nga Bashkimi Europian, ka filluar më 2 dhjetor 2004, në bazë të Ligjit Nr. 9015, datë 11.11.2004, “Për dërgimin e kompanisë paqeruajtëse shqiptare për të marrë pjesë në operacionin e BE-së “ALTHEA”, në Bosnjë-Hercegovinë”. Në kuadër të këtij misioni kanë kontribuar gjashtë kontingjente të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Kontingjentet shqiptare në këto misione kanë vepruar nën autoritetin e komandimit të forcave gjermane. Detyra kryesore e tyre ishte sigurimi i jetës së njerëzve dhe infrastrukturës ushtarake të kontingjenteve gjermane e italiane në Rajlovac, në afërsi të Sarajevës. Angazhimi i Forcës së Bashkuar në misionin “ALTHEA” përfundoi më 4 dhjetor 2007. Në të dyja misionet së bashku (SFOR dhe “ALTHEA”) kanë kontribuar gjithsej 1277 ushtarakë shqiptarë.

V E N D I M
PËR
PAGAT E ATASHEVE USHTARAKË, TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË SHËRBEJNË NË PËRFAQËSINË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË SHTABET E NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5/1, të ligjit nr. 8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të nenit 20, të ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :
1. Ushtarakët shqiptarë, për kohën që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, trajtohen me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësim, sipas lidhjes nr.1, që і bashkëlidhet këtij vendimi.

Paga e atasheut ushtarak nuk mund të jetë më e lartë se ajo e ministrit këshilltar në përfaqësitë diplomatike. Në rastet kur ministri і Mbrojtjes, në marrëveshje me ministrin e Punëve të Jashtme, për shkak të ngarkesës së punës, emëron edhe një ndihmës të atasheut ushtarak, ky trajtohet jo më shumë se grada diplomatike e këshilltarit të përfaqësisë diplomatike.

2. Ushtaraku përfiton edhe kompensim për koston e jetesës, si më poshtë vijon:

• 300 euro/USD, për vendet e grupit të parë;
• 260 euro/USD, për vendet e grupit të dytë;
• 230 euro/USD, për vendet e grupit të tretë;
• 200 euro/USD, për vendet e grupit të katërt;
• 150 euro/USD, për vendet e grupit të pestë.

Kategorizimi і përfaqësive, për efekt të kostos së jetesës, është sipas lidhjes nr. 2, që і bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Paga shtrin efektet nga data e mbërritjes së ushtarakut në vendin e punës. Deri në këtë moment vazhdon të paguhet me pagën ekzistuese.

4. Ushtaraku, kur shkon për herë të parë në vendin e punës, merr, si paradhënie në valutë, pagesën e 15 ditëve, të cilën e shlyen brenda 6-muajve nga data e fillimit të detyrës. Nëse transferohet në atdhe para mbarimit të këtij afati, kundërvlerën e paradhënies së mbetur e shlyen në lekë, sipas kursit të këmbimit valutor, brenda 6 muajve pas kthimit në atdhe.

5. Paga mujore і nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi. Në bazë të saj do të paguhen edhe detyrimet për sigurimet, shoqërore e shëndetësore.

6. Paga mujore і nënshtrohet rishikimit në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në Republikën e Shqipërisë.

7. Pagesat për ushtarakët, që shërbejnë në vendet e Evropës, bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera në USD.

8. Ministria e Mbrojtjes të përballojë, brenda fondeve buxhetore vjetore, shpenzimet për pagat e atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare.

9. Pika 2, e kreut І, dhe pikat 2, 3, 4, 9, 11 e 12, të kreut II, të vendimit nr. 115, datë 13.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e shpenzimeve të atasheve ushtarakë dhe oficerëve të Forcave të Armatosura, që shërbejnë në shtabet e NATO-s”, të ndryshuar, shfuqizohen.

10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

11. Ky vendim і shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2008, ndërsa për periudhën nga 1 korriku 2007 deri më 31 dhjetor 2007 zbatohen pagat aktuale.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›