PS: Qeveria t’i kthejë paratë biznesit, që ia grabiti me ligjin e gjobave
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e nenit famëkeq të gjobave për parapagimin në masën 15%, të gjobave ndaj biznesit. Deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, deklaroi se neni 107 famëkeq i gjobave, i rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, kishte si qëllim të rriste arbitraritetin fiskal të një administrate totalisht të paftë dhe militante, duke vështirësuar apo i hequr mundësinë biznesit të apelonte kontrollet dhe vlerësimet tatimore të kontestuara. Ai kërkoi në emër të PS-së që qeveria t’i kthente mbrapsht biznesit të ardhurat që i kishte marrë gjatë kësaj kohe nga ky ligj. “Ky nen, sa famëkeq dhe qesharak, u votua me votat e kësaj maxhorance në vazhdën e vendimeve të tjera antiligjore, që bien ndesh me parimet e fiskalitetit dhe që cenojnë hapur lirinë e tregut dhe të sipërmarrjes së lirë. Qeveria duhet të marrë masa e të kthejë sa më parë shumat e marra biznesit nga aplikimi i këtij neni antikushtetues”, - u shpreh Idrizi.
7 Maj 2008