E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e reshjeve akoma në Lezhë, s’punojnë pompat

 

LEZHE – Ndonëse ka disa ditë që në Lezhë nuk ka më reshje shiu, situata vazhdon të jetë problematike. Hidrovoret që funksionojnë për të zbrazur ujin nga fushat e përmbytura javën e kaluar nuk punojnë me kapacitet të plotë, kjo për shkak të një defekti të ndodhur pas fillimit të reshjeve. Hidrovori i Tales, i cili kryen thithjen e ujit në 6 mijë hektarë tokë, ka defekt në pompën kryesore të tij. Sipas specialistëve është e vështirë për t’u riparuar, pasi mbi pompë ndodhen 20 metra ujë. Për këtë drejtorit të Ndërmarrjes së Bordit të Kullimit Lezhë, Luigj Frangaj, i është dashur që të sajojë një pritë prej dërrase të bashkuar me silikon, për largimin e tij. Një sipërmarrje e vështirë, por që flet shumë për mospasjen e pajisjeve të domosdoshme edhe në raste avarish në hidrovore në vendin tonë. Sipas Frangajt, defekti në pompë ka ardhur për shkak të prurjeve me shumicë të ujit gjatë reshjeve që vazhduan për ditë me radhë në Lezhë. “Aktualisht, punonjësit prej katër ditësh po punojnë “non stop”, ku krahas mjeteve të sjella nga ana e ndërmarrjes janë edhe banorët që kanë sjellë mjetet e tyre mekanike për të na ndihmuar si dhe reparti i zjarrfikëses”. Frangaj u bën apel dhe banorëve të Lezhës që të mos hedhin më mbeturina inertesh dhe bimoresh në kanalet e hidrovorëve, për shkak se ata po bëhen një problem serioz për bllokimin e pompave dhe moslejimin e thithjes së ujit me kapacitet të plotë të tyre.                           r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›